Këta janë dy të arrestuarit për shpërthimin e sotëm të granatës së dorës në lagjen “Dardania” (FOTO)

Një granatë dore ka shpërthyer sot në orët e para të mëngjesit në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas Borovcit, persona të lënduar s’ka, por janë dëmtuar tri vetura.

“Rreth orës 06:30, është raportuar se  në rrugën “Dalmatët” në Prishtinë , një veturë është  dëmtuar nga një mjet i dyshuar shpërthyes. Dyshohet që nga shpërthimi të jenë prekur edhe dy vetura të tjera të parkuara përreth. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes,  dhe nga informacionet e para dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 03:00 , ndërkohë që  nuk raportohet për të lënduar. Dëmet materiale dyshohet të kenë ardhur si pasojë e shpërthimit të mjetit shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore. Aktualisht  policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka deklaruar Borovci.

Demokracia.com ka mësuar se për këtë rast janë arrestuar dy të rinj të dyshuar, përkatësisht Kreshnik B. Kurti, i lindur në vitin 1998 dhe Arianit B. Pllana, i lindur në vitin 1999.

Ende nuk dihen motivet e hedhjes së kësaj granate dore, por dyshohet se cak ishte njëra prej veturave.