Këta janë dy kandidatë tjerë për deputetë nga AAK-ja

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ditëve të fundit ka filluar me publikimin e kandidatëve të rinj për deputetë.

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Daut Haradinaj, dje ka prezantuar Hajdar Sutaj si kandidat i ri për deputet.

Ndërsa, nga dega e Deçanit pos Sutajt është edhe: Arbër Tolaj, Arif Ahmetxhekaj, Erblina Tahiraj, Hajdar Sutaj, Rasim Selmanaj, Ramë Likaj, Shkumbin Demaliaj, Time Kadriaj dhe Ukë Osaj.

Sipas burimeve të Ballkanit.info nga dega e AAK-së në Gjakovë do të garojnë: Pal Lekaj dhe Teuta Haxhiu.

Pal Lekaj e kishte konfirmuar kandidaturën e tij për deputet për Ballkani.info.

Lekaj ka thënë se ai do të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2021, gjersa ka treguar se partia e tij ka njerëz shumë të përgatitur në këto zgjedhje.

“ Më është besuar që edhe në këto zgjedhje të garoj për deputet të Kuvendit të Kosovës. AAK është e përgatitur për këto zgjedhje, të gjitha strukturat e parti9së janë të mobilizuar dhe besojmë që në këto zgjedhje do të dalim shumë më mirë se vitet e kaluara. Nga takimet e vazhdueshme që kemi me qytetarët në terren, kemi mbështetje të madhe në nivel vendi, kjo na jep edhe më shumë shtytje të vazhdojmë tutje. AAK ka kandidatë të ri mjaft të përgatitur, të arsimuar dhe të gatshëm t’i shërbejnë Kosovës”, është shprehur Lekaj për Ballkani.info.

Kujtojmë se Lekaj kishte qenë deputet i Kuvendi i Kosovës për 4 mandate. Në zgjedhjet e 6 tetorit kishte fitore 10 351 vota.

Lekaj kishte qenë edhe ministër i Infrastrukturës, pozitë këtë që e ka ushtruar për 2 vjet e gjysmë sa zgjati qeverisja Haradinaj./Ballkani.info.