Komisioni parlamentar

Kështu u përplasën ashpër për 6 milionëshin ministri Ismajli dhe Avdullah Hoti (VIDEO)

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli sot ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Por mollë sherri për diskutim në mes ministrit Ismajli dhe deputetit Avdullah Hoti ishte keqpërdorimi i gjashtë milionë eurove të barnave të listës esenciale.

Gjatë kësaj mbledhje, komisioni shqyrtoi raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017.Ministri Ismajli u shpreh se rritja e çmimeve për barna është bërë në mënyrë astronomike dhe nuk ka pasur kontroll, andaj ka kërkuar që një dukuri e tillë të mos përsëritet. Ai tha se për këtë çështje nuk ia ka drejtuar gishtin asnjë personi, dhe fal hulumtimit të tregut kanë arritur të blejnë barna me një çmim më të lirë për 6 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

Për këtë çështje reagoi anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i cili u shpreh se pret që nga ministri të shohë veprime për të parë se nga kush janë keqpërdorur mbi 6 milionë euro, pasi që nëse ai nuk e bën këtë, të tjerët duhet t’i bëjnë këto veprime

Përgjigje direkte pati ministri i Shëndetësisë, i cili tha se nuk është në dikasterin e tij që të tregojë se kush i ka marrë ato mjete dhe ku kanë shkuar.

Ismajli tutje deklarimet e Hotit i ka konsideruar si tentime për frikësime për ekspozim të aferave korruptive derisa e ritheksoi se në blerjen e barnave esenciale ka pasur korrupsion klasik. Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli po ashtu shtoi se nuk ka mundur t’i mbyll sytë para një keqpërdorimi të parave për blerje të barnave të listës esenciale.

Pas kësaj përplasje, deputeti Avdullah Hoti e ka lëshuar mbledhjen. Anëtari tjerët i këtij komisioni nga LDK-ja, Driton Selmani shtroi disa pyetje rreth avanceve dhe ngriti si çështje blerjen më të madhe të insulinave për këtë vit. E në përgjigjen e tij, ministri Ismajli tha se për avancet janë keqpërdorur në masë të madhe dhe për këtë arsye janë arrestuar 6 persona. Derisa theksoi se blerja më e madhe e insulinave ka rezultuar nga kërkesat e institucioneve publike.

Gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua edhe raporti i Auditimit të performances ” Lista esenciale e barnave” ku thuhej se nuk menaxhohet mirë lista esenciale e barnave, ka mungesë të madhe të barnave në një pjesë të kohës, barnat që porositen vonohen deri në 240 ditë etj.

E lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli u shpreh se mungesa e revidimit të listës së barnave esenciale ka ndikuar që pacientët të mos marrin trajtimin e duhur. Sipas tij, tani me ardhjen e tij në krye të sektorit të shëndetësisë janë duke u marrë edhe me revidimin e kësaj liste përmes së cilës direkt do të ndikohet në xhepin e pacientëve.