Kështu parashihet tërheqja e 10% nga Trusti në planin e Qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike

Qeveria po planifikon që me Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike të ndryshohen tetë ligje me qëllim të riparimit të dëmeve në ekonomi të shkaktuara nga pandemia.

Në nenin 5 të këtij Projektligji parashihet plotësim ndryshimi i Ligjit për Fondet Pesnionale të Kosoës.

Sipas ndryshimeve që pritet të bëhen, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë për qind të kursimeve pensionale.

Prandaj, pagesa e kursimeve individuale pensionale për rimëkëmbje ekonomike do të bëhet në këtë mënyrë:

– Pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në FKPK apo në Fondet Pensionale, me rastin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

– Me qëllim të tërheqjes së mjeteve sipas paragrafit 1 të këtij neni, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda tre (3) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

– Me qëllim të shqyrtimit të kërkesave, me kërkesë të FKPK-së BQK-ja, Agjencia e Regjistrimit Civil dhe institucionet tjera relevante ndajnë të dhënat e nevojshme të pjesëmarrësve, me qëllim të shqyrtimit të kërkesave.

– Kërkesat e aprovuara nga FKPK transferohen në llogaritë bankare të përfituesve, në institucionet financiare të licencuara nga BQK-ja dhe tërheqja e mjeteve bëhet vetëm nëpërmjet llogarive bankare.

– Me qëllim të zbatimit të këtij neni, në rast nevoje Ministri i Financave autorizon Agjencinë Qendrore të Prokurimit për zhvillimin e aktivitetit të nevojshëm të prokurimit në emër të FKPK-së.

– Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga tatimi në të ardhurat personale.

Gjithashtu pritet të mundësohet lejimi që mjetet e AKP-së të mund të përdoren për të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të realizimit të rimëkëmbjes ekonomike. Do të bëhet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe nuk do të ndëshkohet mospagesa e deklaratës tatimore e ndikuar për shkak të pandemisë për vitin 2020 dhe 2021.