Kështu janë përgatitur komunat për ta parandaluar koronavirusin

Pas nivelit qendror, janë mobilizuar edhe Komunat e Kosovës në mënyrë që të parandalohet pandemia e koronavirusit.

Me dorëza në duar e maskë në fytyrë. Kështu janë parë shumica e zyrtareve komunal nëpër komunat e Kosovës të cilët kanë pasur punë me palë.

Mas vendimit të Qeverisë, komunat e Kosovës brenda kapacitete që posedojnë janë mobiluar që të parandalojnë virusin korona.

Dezinfektim i hapësirave, ndalim i tubimeve publike, shtim i stafit në kufi janë disa nga masat e ndërmarra nga komunat, shkruan lajmi.net.

Lis Dorambari, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit ka thënë për lajmi.net se inspektorati sanitar është duke punuar intensivisht duke inspektuar hapësirat e ndryshme publike dhe jopublike nga aspekti i higjienës.

“Ndër masat e marra janë edhe: 1. Krijimi i trupit koordinues lokal për menaxhimin e situatës nga sëmundja e coronavirus-it, 2. Furnizmi i Drejtorisë së Shëndetësisë me pajisje mbrojtëse dhe dezinfektuese, 3. Sigurimi i një autoambulance (me mundësi të rritjes së kapacitetit në rast nevoje) vetëm për rastet me coronavirus, 4. Angazhimi i ekipeve mjekësore në pikën kufitare në Vërmicë në bashkëpunim me qendrën rajonale të IKShP-së, 5. Gatishmëria për kontrolle mjekësore në shtëpi të pacientëve në raste të dyshimit nga kjo sëmundje (telefonata në numrin 194) me qëllim të mos përhapjes së sëmundjes duke shkuar në spital apo ambulantë, 6. Kontrolli i rreptë i higjienës publike: dezinfektimi i hapësirave publike dhe jopublike, 7. Ligjeratë vetëdijësuese të mbajtur dje në orët e para të mësimit për të gjithë nxënësit e shkollave për masat mbrojtëse ndaj sëmundjes, 8. Hapësirat e veçanta të izoluara në repartin infektiv në Spital, 9. Mundësia për dezinfektim të tërësishëm të qytetit në rast nevoje”, tha Dorambari.

Ai tha se gjithashtu tha se Komuna është duke u kujdesur që të zbatohen në përpikëri vendimet e dala nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

“Sa i përket stafit mjekësor për momentin numri është i përballueshëm, por që mund të ketë vështirësi në rast se fillon rritja e numrit të rasteve dhe intensiteti i punës. Për këtë Drejtoria e Shëndetësisë është në komunikim me Spitalin Rajonal dhe me Ministrinë e Shëndetësisë për rritjen e kapaciteteve, veçanërisht në pikën kufitare”, shtoi tutje Dorambari.

Margareta Rashiti, zyrtare për informim në Komunën e Kamenicës ka thënë se Komuna e Kamenicës ka marrë vendim për formimin e një komisioni për menaxhimin e vendimeve të marra nga Qeveria dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, lidhur me situatën e krijuar për parandalimin e virusit COVID-19. “Ky komision ka për detyrë që të mbikëqyrë  : Pajisjen e QKMF-së me mjete mbrojtëse të punës (dorëza, maska, dezinfektues); Pastrimin gjeneral të të gjitha shkollave të Komunës së Kamenicës nga stafi teknik i shkollave; Dezinfektimin e të gjitha institucioneve publike të Komunës së Kamenicës; Inspektimi i të gjitha bizneseve të Komunës së Kamenicës”, ka thënë Rashiti

Ajo thotë se për shkak që si Komunë janë të ngarkuar edhe me mbulimin e pikës kufitare ‘Dheu i Bardhë’, me aq sa kanë mundësi dhe atë stafin që e kanë, janë në gjendje gatishmërie për pranimin dhe identifikimin e simptomave të para të këtij virusi.

“Komuna e Kamenicës për shkak që është komunë më e vogël nuk ka asnjë mjek infektolog vetëm familjar. Në raste urgjente qytetarët drejtohen në spitalin regjional të Gjilanit”, shtoi tutje ajo.

Zyrtari për informim në Komunën e Malishevës, Artan Paçarizi ka thënë për lajmi.net masat e marra janë ashtu siç janë rekomanduar nga niveli qendror. Përveç mbylljes së shkollave, ai thotë se janë marrë edhe masat tjera dhe se situata është në kontroll të plotë deri më tani.

“Inspektorët janë në terren në vazhdimësi, e po ashtu edhe po identifikohen të gjithë ata që kanë lëvizur në shtetet ku është prezent virusi. Personat e kthyer, janë urdhëruar nga ana stafit mjekësor dhe policisë, që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për një kohë të caktuar dhe të mos kenë kontakt me personat e tjerë, derisa vërtetohet se nuk bartin virusin COVID-19”, tha Paçarizi.

Ai tha se infektolog nuk ka në nivelin e shërbimit mjekësor të Qendrave të Mjekësisë Familjare, por, sipas tij, janë aparatet elektronike për detektimin e simptomave, dhe se stafi  tjetër mjekësor është i mjaftueshëm.

“Janë formuar edhe ekipet mobile në rast nevoje. Tani pritet të jepen edhe urdhëresat tjera për dezinfektim të hapësirave të caktuara si dhe pritet të aktivizohet edhe shtabi emergjent, në rast të paraqitjes eventuale të rasteve”, shtoi tutje ai.

Edhe në Komunën e Lipjanit kanë thënë se kanë bërë përgatitjet e nevojshme brenda kapaciteteve që posedojnë.