Policia e Kosovës ka arrestuar sot katër persona në veri të Mitrovicës, tre prej të cilëve, janë të dyshuar në lidhje me vrasjen e politikanit serb nga kjo pjesë e Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka theksuar që arrestimet janë bërë me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Janë arrestuar 4 persona dhe 3 prej tyre dyshohet se janë të përfshirë në veprën penale vrasje e rëndë, kurse një person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë. Bëhet fjalë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Gjitahshtu, një person mbetet në kërkim policor, pasi që nuk është gjetur”, theksoi Hoxha.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, personi që mbetet në kërkim nga policia është personi me inicialet M.R. i përkatësisë serbe, raporton Ballkani.info.

Policia e Kosovës gjatë kontrollit po ashtu ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat sipas policisë do të procedohen sipas procedurës ligjore.

Gjatë kohës së aksionit të policisë, në veri të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, është lëshuar edhe alarmi që paralajmëronte rrezikun e përgjithshëm.

Në anën tjetër, forcat e KFOR-it kanë qendruar në gatishmëri për të ndërhyrjë në rast nevoje.

Se sa ishin të gatshme forcat KFOR-it për ndërhyrje e tregon edhe kjo video:

https://www.youtube.com/watch?v=VzVPtpKR2oU