Kështu ia kujtoi kancelari Scholz, Macronit heqjen e vizave për Kosovën edhe në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka folur për premtimet e pambajtura ndaj Ballkanit Perëndimor edhe gjatë vizitës në Ukrainë në konferencën për media me presidentin Zelensky, presidentin e Francës Emmanuel Macron, kryeministrin e Italisë Mario Draghi dhe presidentin e Rumanisë Klaus Iohannis.

Premtimet ndaj Ballkanit përfshijnë edhe çështjen e vizave për Kosovën, për çka tashmë pritet të ketë diskutime konkrete në Bruksel, por ende s’dihet a do të mund të arrihet pajtimi.

Duket që treshja e BE, Gjermania, Franca e Italia janë të gatshme që t’ia japë statusin e vendit kandidat Ukrainës me një vendim që mund të merret me 23 qershor kur të mblidhen shefat e BE’së. Pikërisht kjo ditë do të jetë vendimtare edhe për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, nëse arrihet konsensusi i 27 vendeve anëtare. Kancelari Scholz është kujdesur t’ia përmendë Macronit, deri më tani hezitues për heqjen e vizave për Kosovën.

Scholz ka thënë se premtimet ndaj vendeve të Ballkanit duhet të mbahen.

“Është çështje e kredibilitetit europian që përfundimisht t’i përmbushim premtimet tona ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që me vite janë në këtë rrugë; tani dhe konkretisht”, ka thënë Scholz gjatë konferencës.