Kështu e komenton Fatmir Rexhepi kandidaturën e Hotit për kryeministër

Kryesia e LDK-së ka vendosur që ta nominoj Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet që do të mbahen në fillim të vitit 2021.

Këtë e ka konfirmuar edhe lideri i kësaj partie, Isa Mustafa, në një konferencë për medie pas përfundimit të mbledhjes.

“Vlerësimet tona janë se Qeveria s’ka ra si pasojë e mospunës. Gjithë kjo ka ndodhë, jashtë fajit të Qeverisë. Z. Hoti ka punuar drejt, ka treguar drejt, se edhe vetë edhe Qeveria zbaton ligje”, është shprehur Mustafa.

Këtë vendim e ka quajtur politik deputeti i kësaj partie, Fatmir Rexhepi.

“Vendim politik, i arsyeshëm ndaj kryeministrit në detyrë”, është shprehur Rexhepi për GazetaBlic.

Ndërkaq, tashmë kandidati i kësaj partie për kryeministër të vendit, Avdullah Hoti ka thënë se ndihet i kënaqur me vlerësimin që i ka bërë partia e tij.

“Jam tepër i kënaqur që LDK ka bërë vlerësime të mira. Me sfidat që kemi pas gjatë kësaj periudhe, kemi arritur rezultate të mira, kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme. Jam vërtetë mirënjohës për besimin që e kam marrë nga LDK që të vazhdojë tutje që të jem kandidat për kryeministër në këto zgjedhje”, ka thënë Hoti.

Madje, Hoti ka shprehur bindjen e tij se do të jetë favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje.

“Jam i bindur se jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje”, ka shtuar ai.