Kështu do të votohet nesër në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, me masat antiCovid

Qytetarët e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, më 29 nëntor, do të votojnë për kryetarin e komunës së tyre.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar se KQZ-ja do të ua mundësojë edhe qytetarëve të prekur me COVID-19 e që janë në vetizolim që të votojnë.

“Kemi nxjerrë dy udhëzime administrative që janë kryesore sa i përket procesit zgjedhor. Njëri udhëzim administrativ ka të bëjë me masat të cilat duhet të zbatohen nga votuesit, stafi zgjedhor dhe vëzhguesit. Tjetri udhëzim administrativ ka të bëjë me mënyrën e identifikimit të personave të cilët kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 dhe janë në vetizolim dhe të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim në ditën e zgjedhjeve. Për këtë qëllim KQZ-ja, pasi të bëjë konfirmimin e këtyre votuesve, do të dërgojë ditën e zgjedhjeve në adresat e tyre ekipin mobil në mënyrë që këta qytetarë të mund të votojnë”, ka thënë Elezi.

Por, cila është procedura e votimit për personat që duan të votojnë nga vetizolimi?

“Listat me të cilat KQZ-ja do të operojë përfshin personat që janë në listat e IKSHPK-së si qytetarë të infektuar me COVID-19 në periudhën kohore prej 15 nëntorit deri më 26 nëntor. Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në të dy komunat do t’i kontaktojë përmes telefonit dhe do t’i njoftojë lidhur me këtë mundësi që KQZ-ja e ofron”.

“Natyrisht se KQZ-ja e ka për detyrë kushtetuese që t’i ofrojë mundësinë të gjithë qytetarëve që të realizojë të drejtën e votës, sigurisht që ndjejmë keqardhje për personat e prekur me COVID-19 dhe jemi të vetëdijshëm se shëndeti është mbi të gjitha, por kjo është një mundësi që ofron KQZ-ja, sepse është detyrë kushtetuese dhe ligjore e KQZ-së në mënyrë që të gjithë qytetarët të mund të votojnë. Pasi të kontaktojmë me këta qytetarë është në vullnetin e tyre nëse duan të marrin pjesë në zgjedhje, ose jo. Ekipet mobile do të shkojnë në shtëpitë, apo banesat e tyre, derisa janë paraparë masa mbrojtëse të cilat do të zbatohen nga anëtarët e ekipit mobil të KQZ-së, por edhe nga votuesit”.

Elezi ka treguar edhe masat anti-COVID-19 që do të aplikohen në procedurën e votimit në Qendrat e Votimit në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

“Tashmë jemi familjarizuar me disa nga masat që duhet të zbatohen nga votuesit – kryesisht kemi të bëjmë me distancën fizike prej 2 metrave që duhet të respektohet gjatë gjithë kohës, derisa në vendvotim do të jetë kryesuesi dhe anëtarët e vendvotimit që do të përcjellin rrjedhën e procesit dhe nuk do të lejojnë që të bëhet tollovi”.

“Pasi të bëhet identifikimi i votuesit me llambë ultravjollcë, votuesi do të bëjë dezinfektimin e duarve dhe pas kësaj votuesi do të heqë maskën për t’u identifikuar nga anëtari i vendvotimit. Më pas, votuesi duhet të nënshkruajë në librin ku fakton që ka marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe në fund do të marrë fletën e votimit ku do të bëjë zgjedhjen e tij në kabinën e votimit. Si masë mbrojtëse në dalje të vendvotimit, votuesit sërish duhet të bëjnë dezinfektimin e duarve”, ka deklaruar Elezi.