Këshilltari i Vjosa Osmanit reagon pasi përmendet Kushtetuesja për shkarkimin e Dakës

Artan Murati, këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pasi ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se Osmani, ka shkelur Kushtetutën kur e ka shkarkuar kryesuesen e KQZ-së, Valdete Daka.

Murati ka thënë se ndërpreja e mandatit të Kryesuesit të KQZ-së është e paraparë me Ligj.

“Përsëri sonte flitej për shkelje të pretenduara kushtetuese nga ana e Presidentes, në rastin e znj. Daka. Cila dispozitë kushtetuese është shkelë? Cila është shkelja e pretenduar kushtetuese? Nëse flisni për procedurë të shkarkimit, cila është ajo procedurë?  Për sqarim e rikujtim: Presidenti i vendit e emëron Kryesuesin e KQZ-së. Nuk ka asnjë procedurë të vetme që duhet ndjekur për emërim, përvec kushtit që i emëruari të jetë gjyqtar i Apelit ose Supremes. Nuk duhet propozim as nga KGJK, as nga KQZ, as nga Gjykata përkatëse nga e cila përzgjidhet i emëruari i Presidentit si Kryesues i KQZ-së”, ka shkruar Murati.

Murati thotë se Ligji nuk përcakton ndonjë procedurë shtesë e as nevojë për propozime për ndërprerje të mandatit nga dikush tjetër.

“Për cfarë procedure të shkarkimit po flitet atëherë? Nuk ka dicka të tillë. Nuk ekziston dicka e tillë. Kjo vlenë edhe për disa institucione tjera, ku emërimi e shkarkimi/ndërprerja e mandatit të Kryesuesit bëhet nga Presidenti, jo vetëm për KQZ-në.

Procedurë emërimi e shkarkimi ka për Gjyqtarë, sepse ndonëse emërohen e lirohen nga detyra nga Presidenti, propozimi vjen nga KGJK. E njëjta vlenë për Prokurorët, me propozim nga KPK. Procedurë ka edhe për Gjyqtarët e Kushtetueses, ndonëse edhe këta i emëron Presidenti”, shkroi Murati.