Një nga këshilltarët kryesor të kryeparlamentarit Veseli, Blerim Latifi, thotë se Kosova pa Amerikën s’do ta kishte parë me sy pavarësinë. Thotë se jemi të vegjël “për t’i thënë babës jo”.

“E kemi bërë klishe thënien “raportet tona me Amerikën janë raporte strategjike”. Po çfarë strategjike more! Janë raporte amësie. Ashtu si Shqipëria pa Austro-Hungarinë nuk do të ishte bërë shtet me 1912, Kosova pa perandorinë amerikane nuk do ta kishte parë me sy 17 shkurtin 2008”, ka shkruar Latifi.

Ka përmendur Vetëvendosjes dhe kryeneçësinë qeveritare.

“Sot duhet të jemi të vendosur që antiamerikanizmit salafist, të cilin në Kosovë e ushqejnë mercenarët e pashpallur të Serbisë dhe skepticizmit marksist ndaj Amerikës, të cilin e ushqejnë leninistët e Vetëvendosjes, të mos ua shtojmë edhe kryeneqësinë e panevojshme qeveritare. Edhe ashtu mjaft i kemi rënë murit me kokë, gjithë këto vite. Në punët e shtetit virtyti themelor eshtë realizmi. Kjo do të thotë se ende jemi të vegjël për t’i thënë babës: keq e ke”, ka shkruar ai.

Ndryshe, nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin Amerikan, David Hale po qëndron për vizitë në Prishtinë.

Javën që lamë pas, zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara, drejtori për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, si dhe drejtori për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley qëndruan për dy ditë në Kosovë, për të siguruar pezullimin e tarifave ndërsa paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë kërkesat e tilla.

E, kërkesat e Amerikës kanë nxitur përplasje në mes spektrit politik në Kosovë, pasi që disa nga ta këmbëngulin se duhet të këshillat amerikane, ndërkaq të tjerët në këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj pohon se taksa duhet të pezullohet vetëm në rast se të arritjes së marrëveshjes me Serbinë, kjo e fundit do ta njoh shtetësinë e Kosovës.