Këshilltari i Trumpit: Duket që ka fituar Joe Biden

Një këshilltar i lartë i Presidentit Trump u duk se pranoi të hënën se nuk ka shumë të ngjarë që presidenti të shpallet fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit, megjithëse Trump dhe ndihmës të tij të afërt ende shpresojnë për një mandat të dytë.

“Nëse vendoset se fituese ishte dyshja Biden-Harris, në fakt gjërat duket se po shkojnë në atë drejtim, do të bëjmë një tranzicion shumë profesional në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pa diskutim,” tha këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien gjatë Forumit për Siguri Globale, të zhvilluar përmes internetit.

“Fakti i mrekullueshëm është se në Shtetet e Bashkuara ne e kalojmë stafetën në mënyrë paqësore dhe me sukses edhe në periudhat më konfliktuale,” tha  O’Brien.

Komentet e zyrtarit të lartë vijnë në një kohë që Presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë në median sociale se zgjedhjet u manipuluan dhe se ai duhet të shpallet fitues dhe jo rivali demokrat Joe Biden, të cilin e kanë shpallur fitues të pritshëm mediat amerikane.

“Demokratët e së majtës radikale, duke bashkëpunuar me partnerët e tyre, ‘Median e Lajmit të Sajuar’, po përpiqen të VJEDHIN zgjedhjet. Nuk do t’i lëmë,” tha presidenti, pak pas komenteve të  O’Brien.