Këshilltari i Thaçit i thotë Kurtit: Në veri ka dalë situata jashtë kontrollit, po zbatohen vendimet e Serbisë

Këshilltari i presidentit, Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka akuzar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për atë se situata në katër komunat e veriut për pandeminë COVID 19 i ka dalë jashtë kontrollit menaxhues.

Përmes, një postimi në profilin e tij në Facebook, Behramaj ka shkruar se kryeministri në ikje e ka gojën plotë fjalë miradije për luftimin e pandemisë, por në komunat e veriut të Republikës së Kosovës nuk po zbatohen masat e Qeverisë sonë, por ato të Qeverisë së Serbisë, përcjell Insajderi.

Sipas tij, menaxhimi i situatës me pandeminë duhet të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Komunat e veriut të Kosovës janë tërësisht jashtë kontrollit menaxhues të Qeverisë në dorëheqje për pandeminë COVID-19.

Kryeministri në ikje e ka gojën plotë fjalë miradije për luftimin e pandemisë, por në komunat e veriut të Republikës së Kosovës nuk po zbatohen masat e Qeverisë sonë, por ato të Qeverisë së Serbisë. Ndërprerja e mësimit dhe ora policore në veriun e vendit kanë nisur me vendime të Qeverisë së Serbisë dhe jo me vendime të Qeverisë së Kosovës. Direktivat që po zbatohen në veri nga autoritetet dhe qytetarët e komunitetit serb, qoftë për distancë fizike, qoftë për kujdes shëndetësor, janë direktiva të Qeverisë së Serbisë.

Menaxhimi i situatës me pandeminë duhet të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës të zbatohen në çdo cep të vendit.

Albin Kurti plot dy dekada sa ishte opozitë i ka akuzuar qeveritë e kaluara për shtrirje jo të plotë të autoritetit në komunat e veriut të vendit, ndërsa tash as që po flet për këtë situatë të ndjeshme, që kërkon direkt reagimin e tij.

Dallimin ndërmjet qytetarëve të të gjitha komuniteteve në Kosovë, Qeveria e tij e ka bërë edhe në organizimin e platformës online për mësimin parauniversitar, duke përjashtuar tërësisht nxënësit serbë nga planprogramet arsimore të platformës digjitale.