Këshilltari i Thaçit dhe ministri i Kurtit dalin në aeroport nesër për t’i pritur ndihmat e Erdoganit
Një kontingjent masash mbrojtëse dhe pajisjesh mjekësore do të mbërrijnë në Kosovë, të mërkurën.
Bëhet fjalë për një donacion nga Turqia, për institucionet e Kosovës, për menaxhimin e situatës epidemilogjike me Covid-19.
“Të mërkurën më 8 prill 2020, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” do të mbërrijë një kontigjent i masave mbrojtëse dhe pajisjeve mjekësore, donacion i Republikës së Turqisë, për institucionet e Kosovës për menaxhimin e situatës epidemiologjike me Covid-19”, bën të ditur një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndihmat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, do të dalin për t’i pritur një këshilltar i presidentit Hashim Thaçi dhe një ministër i kryeministrit Albin Kurti.
“Me rastin e arritjes së këtij donacioni, në ceremoninë e pranim-dorëzimit do marrin pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia dhe z. Ardian Arifaj, këshilltar politik i Presidentit të Republikës së Kosovës”, thekson MSH.
“Ceremonia mbahet të mërkurën, me datë 8 prill 2020, në ora 15:45 në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, përfundon njoftimi.
Aeroplani me ndihma nga Turqia vjen pas kërkesës që Hashim Thaçi muajin e kaluar ia kishte bërë Erdoganit, nëpërmjet telefonit.