Këshilltari i Thaçit: Albin Kurti për 50 ditë është bërë paçavër politike

Këshilltari politik i Thaçit, Adil Behramaj, ka thënë se qeveria moniste e Albin Kurtit, pa votat e ministrave të LDK-së, po e vazhdon në mënyrë shumë harbute avazin e shkarkimit të bordeve.

Ai ka thënë se edhe në të kaluarën janë sistemuar militantë nëpër borde, por dikujt i janë dashur 5 vjet, dikujt 500 ditë, jo si Albin Kurtit vetëm 50 ditë.

Behramaj ka thënë se kjo Qeveri nuk është më as për Kosovën, as për qytetarët, por është xhelatinë e xhelalëve në detyrë vetëm për Vetëvendosjen!

“Albin Kurti për 50 ditë është bërë paçavër politike. Qeveria moniste e tij, pa votat e ministrave të LDK-së, e paska vazhduar avazin e shkarkimit të bordeve për t’i shndërruar në bordele të kopesë së tyre. Edhe në të kaluarën janë sistemuar militantë nëpër borde, por dikujt i janë dashur 5 vjet, dikujt 500 ditë, jo si këtij 50 ditë. Disi më me marifet i kanë bërë edhe emërimet, jo kaq harbutërisht si ky. Kjo Qeveri moniste, pa asnjë skrupull ligjor e moral, kudo po e instalon frymën militariste. Me shpikje si “gjakderdhje financiare”, egërsisht edhe po tenton të arsyetohet. Kjo Qeveri nuk është më as për Kosovën, as për qytetarët. Kjo Qeveri është xhelatinë e xhelalëve në detyrë vetëm për Vetëvendosjen!”, ka shkruar Behramaj.