Këshilltari i presidentit Thaçi: Mitrovica dhe Trepça nuk preken kurrë

Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj, ka thënë se Marrëveshja me Serbinë për Kosovën ka kuptim vetëm nëse i sjell njohje dhe ulëse në OKB, njofton Klan Kosova.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Arifaj deklaroi se nuk do të ketë marrëveshje e cila prek dhe cenon ndonjë pikë strategjike të Kosovës.

“Për Kosovën ka kuptim vetëm nëse marrëveshja sjell njohjen nga Serbia dhe ulëse në OKB. Vetëm kjo marrëveshje ka kuptim për Kosovën dhe do ta gëzojë përkrahjen e çdo qytetari. Nuk po kërkojmë diçka të përkohshme. Politika po tregohet se e pengon zhvillimin ekonomik, dekurajon investitorët. Pengesë për investitorët e mëdhenj është paqartësia politike, jo vetëm për Kosovën, por të gjithë rajonin”.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse përfundimtare e paqes nuk do t’i cenojë asnjëherë pikat strategjike të Kosovës. Është një vijë e kuqe e trashë – Mitrovica dhe Trepça nuk preken kurrë”.