Jetlir Zyberaj, këshilltar i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli është përfshirë në debatin e rikthimit në Kosovë të ish zv/kryeministrit të parë.
“Behgjet Pacolli ka respektuar rreptësisht rregullat e autoriteteve zvicerane dhe ka qëndruar në shtëpinë e tij në Lugano në mbyllje në javët e fundit që nga shpërthimi i virusit. Ai nëse vjen, vjen direkt nga shtëpia e tij, me avion privat duke respektuar rregullat e udhëzuara në Zvicër. Si del se autoritetet e Kosovës nuk kanë besim në rregullat e zbatuara nga autoritetet zvicerane? Ideja për karantinë në një konvikt studentor është një model kinez që nuk është aplikuar në vendet e përparuara të Evropës”, ka thënë Zyberaj, shkruan Ballkani.info.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia ka thënë se edhe Pacolli nëse kthehet duhet të karantinohet për 14 ditë, në Qendrën e Studentëve.
Pacolli është njëri nga dy deputetët e AKR-së dhe vota e tij shihet e rëndësishme në themelimin e qeverisë së re e cila pritet të formohet nga LDK-AAK-Nisma dhe AKR. /Ballkani.info/







