Këshilltari i Pacollit: Daçiq përfaqëson mentalitetin e Millosheviqit karshi Kosovës

Prezantimet që po i bën Serbia për tërheqjet e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, e ka quajtur mungesë të kreativitetit diplomatik.

“Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, për faktin se përfaqëson mentalitetin e vjetër nacionalist të Millosheviqit, të vetmen temë me të cilën merret e ka rajonin dhe Kosovën. Ai po bashkëpunon shkëlqyeshëm me mediat në Beograd, në funksion të përhapjes së lajmeve të rreme. I përdorë e keqpërdorë ato, me qëllim që ta bëjë propagandën e tij të duket më e besueshme.

Po ashtu, ai takon personalitete të vendeve të largëta, të cilat nuk kanë njohuri për zhvillimet në rajon, dhe edhe atyre provon tu shesë narracionin e tij të rremë e mashtrues”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.

“U premton atyre heqjen e vizave, furnizim me armë, bursa për studentë. Një ditë flet për numrin e njohjeve, të nesërmen deklaron se nuk e di se sa janë ato. Ka vetëm një të vërtetë, e vërteta është që Serbia e ka zgjedhur mënyrën më fatale të menaxhimit të presionit të brendshëm nga protestat, dhe atij ndërkombëtar për tu pajtuar me njohjen e Kosovës, siç e ka njohur e gjithë bota, shtet i pavarur e demokratik”.
“Fatale, sepse së shpejti ”Mbreti do të shihet ashtu siç është”!”, ka shkruar ai.