Këshilltari i Pacollit: AKR do të jetë pjesë e Kuvendit, megjithë deformimet nga komisionerët

Eksponenteti i AKR-së, Jetlir Zyberaj, i cili është edhe shef i kabintetit të ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, thotë se megjithë deformimin e vullnetit të popullit të Kosovës nga komisionerët, AKR me partitë tjera në koalicion do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës.

“Megjithë deformimin e vullnetit të popullit të Kosovës nga komisionerët e pistë (siç i quajti kryetarja e KQZ-së) gjatë zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, AKR me partitë tjera në koalicion do të përfaqësohet në Parlamentin e Kosovës. Ky është një lajm i shkëlqyeshëm për demokracinë e Kosovës pasi vullneti i popullit nuk mund të ndryshohet”, ka thënë Zyberaj, shkruan Ballkani.info.

Sipas tij, askush nuk duhet të ketë frikë nga rinumerimi i kutive të votimit, vetëm ata që abuzuan me pozicionet e tyre dhe u përpoqën të ndryshojnë vullnetin e popullit.

“Është një sinjal i fuqishëm që demokracia jonë nuk mund dhe nuk do të pranojë abuzimin e vullnetit të elektoratit”, ka thënë ai.

Deri më tash, sipas rezultateve të fundit, koalicioni AKR-Nisma pas rinumërimit të 314 vendvotimeve i ka 4.99 për qind të votave, ndërsa kanë mbetur pa i numëruar edhe 24 mijë vota më kusht dhe dy mijë tjera të personave me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, KQZ-ja sot ka marrë vendim që në rinumërim të shkojnë edhe 530 vendvotime, për shkak të parregullësive me formularët, si dhe mospërputhjes së numrit të votave të kandidatëve dhe partive. /Ballkani.info/

loading…