Këshilltari i Osmanit i kundër-reagon LDK’së: Kredia juaj morale është harxhuar

Këshilltari politik i ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, njëherit edhe pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të subjektit politik Vetëvendosje, i ka kundër-reaguar LDK’së, pas konferencës që kjo e fundit mbajti sot.

Peci, me anë të një reagimi në ‘Facebook’, ka përmendur për herë të dytë radhazi ish-presidentin Thaçi në reagimin që ia ka bërë LDK’së. Ai e ka akuzuar subjektin politik ku shefja e tij ishte për heshtje në kohën kur, siç supozon ai, Thaçi abuzonte zyrën e presidentit.

Tutje, ai ka vazhduar me akuza ndaj pjesëtarëve të KQZ’së për, siç e akuzon ai, “pazare politike”.

Postimi i plotë:

Kundëreagim ndaj deklaratës së sotme të LDK-së

Ata që e zgjodhën  Hashim Thaçin president e kurrë nuk e ngritën zërin sa herë që ai dhunonte e abuzonte me zyrën e presidentit, madje as atëherë kur e kishte vendosur sovranitetin e vendit në shitje, paskan sulmuar sot Presidenten në detyrë, ngase ajo ka kërkuar asgjë më shumë se sa pavarësi e paanshmëri të KQZ-së.

Reagimi i LDK-së shpërfaqë panikun në të cilin është përfshirë ky subjekt. Ne konsiderojmë se ky reagim është i motivuar nga disponimi i ulët i qytetarëve për këtë subjekt dhe jo nga përpjekja e këtij subjekti për ta mbrojtur shtetin dhe demokracinë në vend.

 Kredia juaj morale është harxhuar. Nuk do të arrini ta bindni opinionin publik në pretendimin tuaj, sepse Kosova është keq shkaku juaj.

 Të kërkosh respektim të ligjshmërisë dhe paanësi në punën e KQZ-së nuk është as ndërhyrje e as kërcënim. Ngaqë ju jeni mësuar prej njëzetë vjetësh të funksioni mbi parametra joligjor, thirrjet për respektim ligji juve ju prekin sedrën.

 KQZ-ja, por edhe të gjitha institucionet e tjera të vendit nuk janë vend ku bëhen pazare politike. Kjo praktikë duhet të marrë fund, ndaj reagimet tuaja janë simptomë e panikut.

 Nuk do të ketë asnjëherë zmbrapsje në zbatimin e ligjit, ndaj Lista jonë do të mbetet e përkushtuar që kurdo dhe kudo të insistojë në ligjshmëri, duke mos e bërë ligjin asnjëherë subjekt të pazareve politike, siç keni bërë deri tashti ju! Askush nuk mund t`ua marrë juve flamurin e dhunimit të institucioneve dhe shkeljes së Kushtetutës! Ne po e bëjmë pikërisht të kundërtën. Po i mbrojmë institucionet nga ju e partnerët tuaj të qeverisjes e të biznesit, për t’i sjellë qytetarëve ditë më të mira në një shtet ku sundon rendi e ligji.