Këshilltari i ministrit urdhëron shkarkimin e zyrtarit për arsyeje banale

Ndërhyrjet e stafit politik të ministrive në stafin civil po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Qeverinë Kurti. Ndonëse e kanë të ndalur me ligj, anëtaret e kabineteve nuk po hezitojnë të kërkojnë masa ndëshkimore për zyrtarë publik të niveleve të ndryshme.

Një veprim të tillë e ka bërë edhe Fidan Kalaja, këshilltari i lartë politik i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Më 1 dhjetor të vitit të kaluar, Kalaja ka kërkuar nga Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Venera Çerkini, që të shkarkohet Drejtori i Divizionit për Shërbime Logjistike, Naser Korça.

Kalaja kërkesën e kishte bërë në mënyrë zyrtare, duke iu drejtuar me e-mail ministrit Elbert Krasniqi dhe Zëvendëssekretares së Përgjithshme Venera Çerkini.

Në e-mailin që e ka siguruar gazeta Nacionale, Kalaja përmend edhe arsyen e shkarkimit.

Sipas tij, Korça duhet të shkarkohet sepse ka lënë të pres një shofer të ministrisë rreth 30 minuta.

Kalaja ka përmendur edhe dy arsyeje tjera për shkarkimin.

“I nderuar ministër z. Krasniqi, e nderuar zvsekretare zn, Çerkini. Uroj të jeni mirë. Me anë të këtij e-maili kërkojë shkarkimin nga detyra të udhëheqësit të divizionit për shërbime logjistike z. Naser Korça. Vetëm sot, ka lënë shoferin e ministrisë të pret 30 minuat jashtë edhe pse u paralajmëruar rreth 54 minuta më herët. Është jo bashkëpunues dhe nuk respekton kodin etik të punës. Uroj në një përgjigje të pozitive”, thuhet në e-mailin e këshilltarit Kalaja.

Ndërhyrja e Kalasë jo ligjore

Kërkesa e këshilltarit për shkarkimin e një zyrtari civil është antiligjore. Ligji për Administratën Shtetërore, i cili përcakton kornizën ligjore për organizimin, bashkëpunimin dhe menaxhimin e ministrisë, tregon qartë se cila janë kompetencat e këshilltarit politik.

“Këshilltarët politikë nuk ushtrojnë kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative të ministrisë” thuhet në paragrafin 4 të nenit 35 të këtij ligji.

Kurse, në nenin 38 të këtij ligji tregohet se përgjegjës për stafin civil është Sekretari i Përgjithshëm.

Në paragrafin 2 të nenit 38 të këtij ligji thuhet se Sekretari i Përgjithshëm është ai që menaxhon nëpunësit civil dhe punonjësit tjerë të ministrisë.

Një burim brenda Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i ka thënë gazetës se arsyet që janë përmendur në e-mal nuk qëndrojnë.

“Është e vërtetë qe ka pasë një e-mail të dërguar nga ana e një këshilltari politik te ministri dhe sekretarja ku është kërkuar shkarkimi nga detyra i Udhëheqësit te Logjistikes Naser Korça. Mendoj se ato arsyeje nuk qëndrojnë. Sepse stafin politik nuk mund të ndikoj në punën e stafit civil”, ka thënë burimi.

I njëti burim ka treguar se Korça është ankua në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

“Me sa di unë, ai është ankuar në Agjencinë Antikorrupsion dhe deri me tani ende nuk është marrë ndonjë mas ndaj tij. Ndoshta, ankesa e tij i ka frikësuar “, ka thënë burimi.

Gazeta ka tentuar ta kontaktoj zyrtarin Naser Korça, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Edhe në Ministrinë e Drejtësisë kishte ndërhyrje të stafit politik

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk është rasti i vetëm që ndërhyn politika në administratë. Ndërhyrje të tilla vitin e kaluar kanë ndodhur edhe në Ministrinë e Drejtësisë. Në këtë ministri zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kishte kërkuar auditim vetëm për njëzyrtar, i cili kishte tre vëllezër dëshmorë.

Nacionale kishte mësuar se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, kishte urdhëruar Drejtorin e Auditimit të Brendshëm, që ta monitorojë vijueshmërinë e Elbasan Dervishajt në punë vetëm për shkak të pikpamjeve të tij politike. Krejt kjo, sipas burimeve të Nacionales, kishte ndodhur për shkak se Sallahu e vlerësonte si përkrahës i pushteteve të kaluara.

Dreshaj ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës Civil të Kosovës.

Pas shqyrtimit të ankesës, këshilli kishte gjetur se zv/ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka tejkaluar kompetencat e veta. Kjo, pasi Sallahu ka kërkuar nga Auditimi i Brendshëm ta auditojë vetëm një Udhëheqës të një Divizioni.

“Në kuptim të këtyre dispozitave ligjore konstatoi se udhëheqës i subjektit të sektorit publik në sistemin ministror është Ministri, kështu që bazuar në këtë konstatim si dhe duke iu referuar nenit 21 paragrafi 1 për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Kolegji për shqyrtimin e ankesave vlerëson se kërkesa për auditim të veçantë nuk është në autoritetin e zv/ministrit. Këshilli konstaton se kërkesa e datës 31 maj 2022 për auditim të veçantë është bërë përmes tejkalimit të autorizimeve të përcaktuara nën nenin 11 të Rregullores për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive”, thuhet në vendimin e KPMSCK-së që e ka parë gazeta Nacionale.

Këshilli Civil kishte evidentuar se kërkesa për auditim ndaj një udhëheqësi specifik, përmban elemente të diskriminimit.

Elbasan Dervishaj për vite të tëra është punonjës në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2014 ai udhëheq me Divizionin për Funksione të Lira. Dervishaj ka tre vëllezër dëshmorë të cilët ranë në luftën e fundi.