Zyrtarët e Vetëvendosjes kanë nisur një fushatë me analiza për LDK’në dhe Isa Mustafën. Madje, disa prej tyre po i japin këshilla liderit të LDK’së,. I fundit është filozofi nga Tirana, Elvis Hoxha, i cili është Këshilltar i Kurtit. Hoxha ka thënë se Agim Veliu u fut në Qeverinë Kurti për t’i çuar votat e elektoratit të LDK’së te Thaçi.
Isa Mustafa tha sot se Albin Kurti po këshillohet nga disa kokëkrisur prandaj e kanë sjell në këtë gjendje politike.
Ndërkohë, njëri prej këshilltarëve të Kurtit, filozofi Elvis Hoxha, ka shkruar një reagim në Fb, duke bërë një analizë se pse ishte futur Agim Veliu në Qeveri.
Sipas filozofit, Veliu u fut në Qeveri për t’i dërguar votat e elektoratit të LDK’së te Presidenti Thaçi.
“Edhe një herë tjetër po përgatiten që votën e elektoratit të LDK-së ta shpien te Thaçi dhe PDK-ja. Sa herë ka ndodhë kjo, mos më pyesni mua por kujtesën e votuesve. Dhe për këtë duhej të hynte në Qeverinë Kurti një njeri si Agim Veliu më mes të ministrave të tjerë të përgjegjshëm e të aftë të LDK-së”, ka shkruar Hoxha në një reagim.
Ndërkohë, sot, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se sot gjithçka do të ishte ndryshe, nëse Kryeministri Albin Kurti nuk do të ishte i rrethuar nga disa kokëkrisur. Nuk ka treguar se për kënd e ka fjalën, por ka thënë se të njëjtit po ia interpretojnë gjërat në mënyrë të gabuar.
“Konsideroj se po të mos i kishte z. Kurti disa kokëkrisur afër tij, që gjërat i interpretojnë kështu, nuk ishim ardhë në këtë situatë që jemi”, ka thënë Kryetari i LDK’së.
Kjo deklaratë ka ardhur pasi raportet ndërmjet LDK’së dhe VV’së janë në pikën zero prej kur Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun përmes një njoftimi për medie. Në anën tjetër, LDK’ja e aktivizoi mocionin e mosbesimit të Qeverisë, që po e përkrah edhe opozita.







