Si rrallë herë nga ndonjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës, Jeton Zulfaj, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar që Marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes dy shteteve ishte një hap mbrapa për Kosovën.
Duke folur për Euronews Albanian me gazetaren, Esmeralda Mulaj, Zulfaj kujtoi se kur kishin ardhur në Qeveri, qëndrimi edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ishte njohje reciproke në qendër, por u bë kompromis dhe marrëveshja u arrit për “njohje de facto”.
“Ju e dini, kishim qëndrimin e presidentit të SHBA-ve për njohje në qendër dhe njohje reciproke në qendër ndërkohë që kaluam te njohja de facto. Edhe kjo ishte një lëvizje le të themi mbrapa, por një kompromis për marrëveshjen të cilën ata na e sollën si një marrëveshje kompromisi”, pohoi këshilltari i Kurtit.
Përkundër këtij kompromisi të bërë nga Qeveria e Kosovës, Zulfaj thotë se tash as kjo nuk po mjafton, sepse po kërkohet zbatim selektiv i neneve brenda marrëveshjes.
“Tani kur u pranua, ajo nuk po kërkohet më, kërkohet vetëm një nen, por duhet të pranohet marrëveshja në tërësi”, pohoi.

Ai shtoi se Kosova “ka interes nga normalizimi i marrëdhënieve” me Serbinë.
“Pra duhet të ndodhë normalizimi, sepse Serbia është fqinj verior dhe marrëdhëniet normale mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë i kontribuojnë edhe fqinjësisë së mirë edhe paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe rrugëtimit më të shpejt drejt Bashkimit Evropian”.







