Këshilltari i Hotit i kundërpërgjigjet PDK-së: A thua nuk e dimë si e kalëruat vendin për 10 vjet

Visar Berisha, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti, me një kundërpërgjigje ndaj Partisë Demokratike, që e kritikoi 100 ditëshin e qeverisjes Hoti, thotë se nuk kanë bërë asnjë vlerësim profesional.

Më shumë thotë se është “maraz politik e mërzi”.

“Kundërshti m`i thënçin! Në një deklaratë anemike e krejt pa ton qenkan përpjekur të përshkruajnë ecjen e Qeverisë Hoti në këto njëqind ditë që lamë pas. Asnjë fakt, asnjë vlerësim profesional e aq më pak alternativë qeverisje. Shumë më shumë maraz politik e mërzi. Paskan bërë vlerësime e ndërtuar qëndrime mbi tituj gazetash e thashetheme bulivardeske sikur Kosova qenka mos më keq, a thua se nuk e dimë të gjithë bashkë si e kalëruan këta vendin për 10 vite të plota dhe në ç`lista e futën e ç`batërdi i lëshuan mbi kokë”, shkruan Berisha në Facebook.

“Para se të akuzosh dikë për tradhti në Dhomën Ovale të Presidentit amerikan, duhet të numërosh me listë të gjitha ato veprime izolacioniste që ke ndërmarr për ta getoizuar Kosovën për gjithë këto vite dhe për ta vendosur atë në bregun tjetër ku nuk rrinë miqtë e saj. Tash Kosova, fal “mospërvojës” e “kryeneçësisë” së këtij Kryeministri ka prap miq, asi që po hapin një kapitull të ri për Kosovës”, shkruan më tej këshilltari i Hotit, Berisha.

Partia Demokratike sot gjatë ditësh konsideroi se është qeverisje e dështuar 100 ditëshi i Hotit, duke përmendur qeverisjes e brendshme dhe politikën e jashtme.