Këshilltari i Haradinajt e quan “lopë” Agim Bahtirin

Erolld Belegu, këshilltar i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, ka ofenduar kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtri, duke e quajtur “lopë që ecën”.

Në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, Belegu ka publikuar një fotografi, ku shihet Bahtiri me ndihmëset e tij.

Mbi fotografinë, Belegu – i cili në foton kryesore të këtij artikulli shihet duke shtrënguar duart me Bahtirin, gjatë një takimi me të vite më parë – ka shkruar “Walking lopa”.

Bahtiri ka thënë sot se do ta lërë politikën për t’iu kthyer familjes së tij në Holandë.

Ai ka thënë se i ka mbetur vetëm ta bashkojë Mitrovicën e në fund të mandatit, të kthehet atje ku ka pjesën më të madhe në familjes.

Nga atje, siç ka thënë ai, do të kthehet vetëm nëse populli kërkon që ai të jetë kryeministër apo president.

Ai me bindje ka folur se Mitrovica do të bashkohet këtë vit dhe ai do të jetë kryetar i Mitrovicës. Në fakt, Bahtiri ka thënë se ai edhe tash është kryetar i veriut të Mitrovicës që deri para dorëheqjes është udhëhequr nga Goran Rakiq.

“Sigurisht se jam kryetar i pjesës më të madhe të veriut edhe në pjesën ku e ka udhëheq Rakiqi, një pjesë bukur të madhe”, ka thënë Bahtiri.