Telekomi i Kosovës është zhytur në skandalin e radhës. Kryeshefi i saj, Bedri Istrefi, ka vendosur që të paguajë rreth 2 mijë euro në muaj një person që nuk e ka idenë se si menaxhohet Telekomi i Kosovës.
Pa asnjë shkollim të duhur për çështje të ndërmarrësisë dhe telekomunikimit, një person që shfaqet si analist vetëm në studion e Baton Haxhiut duke mbrojtur idetë politike të Thaçit, sipas burimeve të Gazetës Online Insajderi është emëruar këshilltar i Istrefit.
Ismail Tasholli është i shkolluar për filozofi dhe sociologji në Austri. Përgatitja e tij dhe përvoja e punës nuk ndërlidhen me çështje të menaxhimit të kësaj ndërmarrje publike buzë falimentimit. Por pavarësisht kësaj ai po këshillon Istrefin.
Në anën tjetër Ballkani.info merr vesh se Tasholli ka më shumë se dy muaj që është emëruar “fshehurazi” në pozitën e këshilltarit të Istrefit.
Por, Tasholli megjithëse ka tashmë një pozitë publike në Telekom, ai nuk heziton të jetë pjesë e debateve televizive.
Dhe këto debate i shfrytëzon për të mbajë anë politike dhe për sulme po ashtu politike.
Tasholli në debatin e fundit në Klan Kosova pas vizitës në Gjermani të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe pas takimit me kancelaren Angela Merkel hodhi një mori akuzash, si dhe tentonte vazhdimisht ta minimizonte efektin e takimit Merkel-Haradinaj.
“Kryeministri Ramush Haradinaj ka përgjegjësi politike para zgjedhësve të tij. Ai [Ramush Haradinaj] shpesh herë e ka përmend që ato takime që shkohet pa përmbajtje dhe që merren me fotografi, do të injorohen”, pati thënë Tasholli, transmeton Ballkani.info.
Tutje ai tha se Haradinaj me takimin e tij të zhvilluar me kancelaren gjermane Merkel, ka rënë ndesh me përqeshjen të cilën ua ka bërë dikur kundërshtrëve të tij politik.
“Por sot vet Ramush Haradinaj është pjesë e atyre simbolikave të shtrëngimit të duarve në Berlin, e do bëhet edhe nesër në Paris – gjë që bie ndesh me përqeshjen e tij që ai vet ua ka bërë dikur kundërshtarëve politikë. “Në këto takime të tij, ish dashur të fitojë jo simbolika por përmbajtja. Secili jemi të njohur si shoqëri dhe nuk është çudi që populizmi i Ramush Haradinajt të kthehej në votë”, kishte thënë Tasholli.
Ai pati përmendur edhe taksën, duke thënë se ajo nëse hiqet më nuk do të fitojë asnjëri politikisht
“Sepse po shihet se vetëm me mbajtjen e saj po fitojnë secili poena politik”, pati shtuar Tasholli.
Të kujtojmë se Telekomi që kishte qenë si njëra ndër kompanitë më fitimpruresë në vend, tashmë është buzë falimentimit. Keqmenaxhimi, jokoherenca me zhvillimet teknologjike, punësimi i njerëzve joprofesionistë, bënë që Telekomi i Kosovës të jetë buzë falimentimit.
Telekomi i Kosovës tash e sa kohë gjendet në krizë të thellë financiare pasi borxhi i akumuluar ka arritur shifrën e më shumë se 60 milionë eurove.
Për gjendjen buzë falimentimit të ndërmarrjes në të cilën Qeveria e Kosovës është pronare e 100% të aksioneve është ngritur edhe komisioni hetimor nga Kuvendi i Kosovës.
Ky komision së fundmi kishte miratuar listën e personave të cilët pritet t`i intervistojë lidhur me gjendjen e krijuar. /Ballkani.info/







