Këshilli Prokurorial paralajmëron masa ndaj prokurorit Buzhala, anulohet konkursi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar lidhur me raportimet për shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala.

Nga KPK janë shprehur të shqetësuar lidhur me dyshimet e ngritura, teksa është theksaur se do të fillojnë procedurat ligjore ndaj prokurorit Buzhala.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dyshimet e ngritura në media për shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesional nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron opinionin publik se pas kërkesës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit si autoritet kompetent dhe, në bazë të autorizimeve që ka, do t’i fillojë procedurat ligjore ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, edhe U.D Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka njoftuar se do të anulohet në tërësi konkursi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional për prokuroritë themelore në Gjakovë, Pejë dhe Prizren duke e kthyer atë në pikën zero.

“Për më tepër, U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, në bazë të autorizimeve të tij, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj anëtarëve të komisionit të këtij procesi”, u tha tutje nga KPK.