Këshilli Prokurorial miraton planin e punës për 2021

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar planin e punës për vitin 2021, i cili është i ndarë në 4 pjesë e që përfshin prioritetet që kanë të bëjnë me fuqizimin e sistemit të administrimit të sistemit Prokurorial.

Po ashtu, në këtë mbledhje të KPK-së është vendosur që 87 prokurorët që kanë qenë të angazhuar për mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve të kompensohen me 50 euro.

Valdrin Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka prezantuar planin e punës së KPK për vitin 2021, e që mori miratimin e të gjithë anëtarëve.

“Plani është i ndarë në 4 pjesë ku përfshihen objektivat me prioritet e që kanë të bëjnë fuqizimin e sistemit të administrimit të sistemit Prokurorial, avancimi i statutit të prokurorëve dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative përfshirë reformën e administratës prokuroriale, proces ky i cili do ta përcjell gjatë gjithë vitit. Rritja e kapaciteteve në trajtimin e lëndëve në Prokurorinë e Shtetit, fuqizimi i mekanizmave llogaridhënës dhe kontrolli permanent i punës. Këto pra do të jenë objektivat me prioritet të cilat do të trajtohen nga ana e KPK. Si objektiva të tjera janë paraparë avancimi i sistemit për vlerësimin e përformancës së prokurorëve, ku dihet që tani më e kemi një rregullore të re për vlerësimin e përformancës së prokurorëve”, tha ai.

Ai tha se prioritet e kanë edhe transparencën me publikun dhe me mediat.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, ka folur për realizimin e planit të punës së KPK-së për vitin 2020, ku tha se ndër sfidat kryesore që kanë pasur gjatë atij viti ka qenë edhe situata e krijuar me pandeminë COVID-19.

“Një ndër sfidat kryesore ka qenë situata e krijuar me pandeminë COVID-19, pastaj mosplotësimi i përbërjes së Këshillit me dy anëtarë pa fajin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha obligimet e Këshillit, kur dihet se sistemit Prokurorial i është ulur buxheti për 10 përqind. Mungesa e legjislacionit për rregullimin, specializimin e prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike siç është korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik si dhe krimet kibernetike. Infrastruktura fizike siç është zgjerimi i hapësirave për Këshillin dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit. Pastaj, pezullim i ligjit për zyrtarët publik dhe pritja për një kohë e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë ligj”, tha ai.

Në këtë mbledhje të Këshillit Prokurorial të Kosovës është aprovuar kërkesa që prokurorët që kanë punuar ditën e zgjedhjeve, me 14 shkurt 2021, të kompensohen me shumën prej 50 euro.

Valdrin Krasniqi, ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se praktika edhe në të kaluarën ka qenë që ata të kompensohen me 50 euro.

“Në vazhdimësi prokurorët të cilët kanë kujdestaruar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve në bazë të kërkesës së koordinatores është caktuar një shumë për kompensimin e këtyre prokurorëve. Para vetës e kam një vendim të vitit 2019 me datë 22 tetor, ku Këshilli në takim ka marr vendim për kompensimin e prokurorëve në vlerë prej 50 eurove të cilët janë angazhuar në zgjedhjet e vitit 2019. Andaj nga praktika shuma ka qenë 50 euro”, tha ai.

Në këtë mbledhje është aprovuar edhe kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për avancim të një prokurori në Departamentin për krime të rënda, me ç’rast është hapur konkursi dhe do të jetë i hapur nga 1 deri më 15 prill. Po ashtu, është bërë rishpallja e konkursit për avancimin e prokurorëve në Prokurorinë e Apelit.

Po ashtu, Këshilli ka bërë emërimin e tre përfaqësuesve të KPK-së në Këshillin drejtues të Akademisë së Drejtësisë, të cilët do të jenë me një mandat katër vjeçar.