Këshilli i Sigurimit të OKB-së sonte diskuton për Kosovën

Në kuadër të raportimit të rregullt për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla ka udhëtuar në New York, për të përfaqësuar Kosovën.

Sipas njoftimit të bërë nga Gërvalla, kjo seancë do të mbahet në ora 21:00.

“Ju ftoj të ndiqni sonte mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë së cilës do të diskutohet për Kosovën. Transmetimi i drejtpërdrejtë fillon në orën 21”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas komunikatës të lëshuar dje nga MPJD, Gërvalla do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së “gjatë së cilës do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për Kosovën”.

Gjithashtu u njoftua se gjatë këtij takimi, Gërvalla “do t’i paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit”.