KS i OKB-së

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sërish hodhi poshtë propozimin e Rusisë për të diskutuar sulmet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë 25 vjet më parë, të cilat parandaluan spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ish-regjimi i drejtuar nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Pas diskutimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, rendi i ditës u hodh në votim – gjashtë vota pro, zero kundër dhe nëntë abstenime. Kështu, rendi i ditës nuk u miratua, pasi nuk mori një numër të mjaftueshëm votash, tha kryesuesi.

Përfaqësuesi i Francës deklaroi se KS i OKB-së ka autoritetin të merret me çështjet e cenimit të sigurisë kombëtare, por nuk është një forum për çështje historike, duke u bërë kështu thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mos e mbështesin propozimin rus.

Përfaqësuesi i SHBA-së tha se kërkesa e Rusisë dhe argumentet e saj për këtë çështje janë të çmendura, pasi Moska kërkoi edhe vota procedurale për temat e propozuara nga vendet e tjera, transmeton KP.

Përfaqësuesi i delegacionit francez tha se ky diskutim mund të vazhdojë pafundësisht dhe i kërkoi kryesuesit që ta hedhë këtë çështje në votim.

Japonia për sot kishte caktuar seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për sulmet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë, me kërkesë të përsëritur të Rusisë.

Në seancën e KS të OKB-së më 25 mars, sulmet e NATO-s ndaj Serbisë nuk u vunë në rend dite pasi 12 anëtarë të këtij organi abstenuan, teksa Rusia, Kina dhe Algjeria ishin të vetmet vende që diskutuan mbi këtë temë.

Lidhur me këtë reagoi edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tha se Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën.

VIDEO BONUS: