Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë, e cila mbahet më 23 tetor do të ketë duel presidentësh. Kosovën do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, ndërkaq Serbinë presidenti Aleksandër Vuçiq. Përplasja eventuale mes tyre, ku temë qendrore do të jetë sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit po synohet të evitohet përmes mbylljes së seancës. Sipas një dokumenti të Këshillit të Sigurimit, palët po i përdorin seancat e hapura për narrativa që nxisin tensione
Këshilli i Sigurimit do ta shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të formatit të seancave për Kosovën, kur kanë mbetur pak ditë deri në diskutimin e radhës mbi situatën në Kosovë.
Kosova e Serbia do të përfaqësohen në nivel të presidentëve. Por me qëllim të shmangies së përplasjeve dhe promovimit të një dialogu më konstruktiv për zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit, mundësia e mbylljes së seancave do të konsiderohet gjatë presidencës së Brazilit.
Në raportin e Këshillit të Sigurimit i cili përfshin zhvillimet e shtatorit, thuhet se Kosova dhe Serbia po i shfrytëzojnë seancat për të proklamuar narrativa kundërthënëse.
“Një çështje tjetër kyçe është se si të promovohet dialogu konstruktiv për këtë çështje të ngarkuar politikisht në Këshill. Pavarësisht progresit të bërë në fillim të këtij viti në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, tensionet ishin evidente gjatë takimit të Këshillit më 27 prill mbi situatën në Kosovë. Të dyja palët përdorën seancën e hapur të Këshillit për të shtyrë përpara narrativat e kundërta rreth nxitësve të paqëndrueshmërisë rajonale”, thuhet në raport.
Tutje në dokument përmendet kërkesa që Shqipëria ua kishte bërë palëve ta lënë retorikën e rrënjosur në histori.
“Në fund të takimit, Shqipëria mori fjalën për t’i nxitur pjesëmarrësit të lëvizin përtej debateve të rrënjosura ‘për perspektivat historike, për të cilat ne nuk pajtohemi’ dhe në vend të kësaj të përqendrohen në hapat pozitivë të bërë muajt e fundit. Si presidente e Këshillit në tetor, Brazili mund të shqyrtojë ndryshimin e formatit të takimit nga një konferencë e hapur në konsultime të mbyllura. Kjo mund të lejojë një diskutim më të sinqertë të sfidave për zbatimin e marrëveshjes së shkurtit”, thuhet në raport.
Kosovën në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani. Në presidencë kanë thënë se sipas informacioneve që kanë, seanca do të jetë e hapur.
“Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në këtë seancë të KS të OKB-së. Sipas informatave që posedojmë ne, seanca do të jetë e hapur. Për të ndryshuar formatin mund të vendosin anëtarët e KS të OKB-së”, ka thënë këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
Edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e ka konfirmuar për mediat serbe se do të marrë pjesë më 23 tetor në Nju Jork.
Megjithëse në raport nuk është përfshirë sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kjo ngjarje pritet të jetë tema qendrore në debatin për Kosovën, i planifikuar të mbahet në fund të tetorit.
Me gjithë kërkesën e Kosovës që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë, komuniteti ndërkombëtar ende nuk ka marrë masa ndaj saj. BE-ja që po vazhdon ta mbajë Kosovën nën sanksione është duke pritur hetimin e ngjarjes, për t’i konsideruar masat edhe ndaj Serbisë.







