Këshilli i Prindërve të Kosovës në një letër për kryeministrin Ramush Haradinaj pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk pranoi rritjen e koeficientit prej 0.2 ka thënë se thelbi i kërkesës së kësaj sindikate është politik.
“Veprimet e fundit të SBASHK-ut me të cilin refuzuan ofertën e Qeverisë për rritje të koeficienteve të pagës së mësimdhënësve për 0.20 dhe për ta vazhduar grevën, tregojnë përfundimisht se thelbi i kërkesës së SBASHK-ut nuk ka karakter social, por puro politik”, thuhet në letrën e KPK-së.
Në këtë letër, prindërit vlerësojnë se po dëmtohen interesat e 359 mijë fëmijëve në Kosovë.
Duke parë “rrezikun që greva të vazhdojë deri në qershor”, KPK ka kërkuar nga qeveria që të mbrohet e drejta për arsimim në vend.
Ky këshill ka kërkuar që urgjentisht të bëhet ndryshimi i Ligjit për Greva dhe t’u pamundësohet mbajtja e grevës edhe punëtorëve të arsimit, njëjtë siç vlen edhe për Policinë, FSK-në, Zjarrfikësit dhe Shërbimet Emergjente Shëndetësore.







