Këshilli i Prindërve kundër vendimit të Qeverisë Hoti: Nuk u konsultuan me ne për përfundimin e gjysëmvjetorit

Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk po pajtohet me vendimin e Qeverisë Hoti, që gjysëmvjetori i parë nëpër shkolla fillore dhe të mesme të përfundojë më 18 dhjetor, 10 ditë më herët se që ishte e planifikuar.

Këshilli përmes një komunikate për media, ka konfirmuar se lidhur me këtë vendim nuk është konsultuar fare nga Qeveria e vendit.

“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në komunikatë.

Pushimi, sipas vendimit të qeverisë do të zgjasë deri më 18 janar dhe është marrë për shkak të situatës me koronavirus.

Kujtojmë se që nga marsi kur u shënuan rastet e para me Covid-19 në vend, procesi mësimor është mbajtur në formë të kombinuar, online dhe përmes orëve të shkurtuara në shkolla