Këshilli i Europës kërkon nga Kroacia të hetojë akuzat për abuzime policore

Komisionerja e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, i ka bërë thirrje Kroacisë të fillojë hetimet në lidhje me akuzat për dhunën dhe vjedhjen e policisë kundër emigrantëve.

Përmes një letre drejtuar Kryeministrit kroat Andrej Plenkoviç, komisionierja Dunja Mijatoviç shkroi se ishte e shqetësuar nga raportet e organizatave emigrante.

Sipas të dhënave, ka pasur një numër të madh të dëbimeve kolektive të parregullta të emigrantëve nga Kroacia për në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, përfshirë këtu edhe kërkuesit e mundshëm të azilit.

Shqetësuese ishin akuzat për dhunë sistematike nga zyrtarët kroatë kundër popullatës civile përfshirë gratë shtatzëna dhe fëmijët.

UNCHR ka pranuar raporte se rreth 2500 emigrantë janë kthyer nga Kroacia që nga fillimi i këtij viti, ku 1500 prej tyre u është mohuar qasja në procedurat e azilit, duke përfshirë mbi 100 fëmijë.

Mijatoviç i kujtoi Kroacisë, se të gjitha përpjekjet për të menaxhuar migracionin duhet të përputhen me parimet ligjore ndërkombëtare si dhe ndalimin e dëbimeve kolektive të përfshira në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.