Këshilli Gjyqësor i reagon Haxhiut për Vettingun: Veprime të çakorduara do ta dëmtojnë sistemin gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar pas nismave ligjore për procesin e Vettingutt, nga ana e Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministria e Drejtësisë.

Ata, në një reagim të gjatë thonë se çdo nismë e pamenduar mirë dhe e çarkorduar vetëm sa do të dëmtonte rëndë sistemin gjyqësor në Kosovë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Koncept Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” dhe në frymë të njëjtë me qëndrim e shprehur nga Komisioni i Venecias në Opinion e saj, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do i bëj dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit gjyqësor, dhe rrjedhimisht do shkaktojë zvarritje të procedurave gjyqësore, të cilat pashmangshëm do i’a pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi’, thuhet ndër të tjera në reagim.

Reagimi i plotë:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka analizuar dhe konsultuar me kujdes Opinionin e Venecias për Koncept Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. KGJK konsideron se vlerësimet dhe propozimet e Komisionit të Venecias janë vërtetë të rëndësishme dhe ofrojnë një platformë orientuese për fuqizimin e mëtutjeshëm të gjyqësorit në Republikën e Kosovës përmes mekanizmave të brendshme të gjyqësorit.

Opinioni i Venecias në mënyrë sistematike dhe duke tërhequr vëmendje në instrumentat ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe duke shkoqitur praktikat e vendeve tjera, në vlerësimet e dhëna në këtë Opinion, spikatë pavarësinë e gjyqësorit të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës se Kosovës. Rekomandimet e Komisionit, në mënyrë të përsëritur gjatë tërë Opinionit, bëjnë thirrje për qasje vërtet të kujdesshme sa i përket çdo iniciative, propozimi apo reforme të pamenduar dhe analizuar mirë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Koncept Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” dhe në frymë të njëjtë me qëndrim e shprehur nga Komisioni i Venecias në Opinion e saj, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do i bëj dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit gjyqësor, dhe rrjedhimisht do shkaktojë zvarritje të procedurave gjyqësore, të cilat pashmangshëm do i’a pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi.
Në vend të një iniciative që rrezikon mbarëvarshmërinë e punës së gjyqësorit si dhe zhvlerëson tërë punën dhe investimin e bërë në forcimin e sistemit gjyqësor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës fton Ministrinë e Drejtësisë për intensifikim të dinamikës së punës së përbashkët për avancimin e reformave të nisura, dhe bashkë me këtë, të konceptohen nisma të reja me një qëllim të përbashkët – konsolidimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës riafirmon qëndrimin dhe qasjen, e cila me këtë Opinion të Komisionit të Venecias veç sa është përforcuar, se adresimi i sfidave në sistemin gjyqësor si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës së gjyqësorit, duhet të bëhet me anë të nismave ligjore dhe politikave zhvillimore të koordinuara mirë për t’i fuqizuar edhe më tej mekanizmat e brendshme të verifikimit, llogaridhënies, performancës dhe transparencës. Nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e gjyqësorit nuk do të mbështeten nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pavarësisht një pune dhe dinamike intensive të ndërmarrë në përmirësimin e përgjithshëm të përformancës së gjyqësorit, mbetet i përkushtuar të avancojë reformat tashmë të nisura në përmirësimin e procedurave rekrutuese për gjyqtarë, bashkëpunëtorë profesional, si dhe personel mbështetës; rritjen e efikasitetit në menaxhimin dhe administrimin e gjykatave, zgjerimin e përdorimit të sistemeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit në procedura gjyqësore dhe intensifikim të digjitalizimit të gjyqësorit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në punë si dhe përforcimin e sistemit të disiplinës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës do vazhdojë të jetë proaktiv, në rrethana të caktuara do merr dhe rol udhëheqës, në intensifikimin e bashkëpunimit ndër-institucional, për zbatimin sa më të suksesshëm të strategjive kombëtare, si ajo për sundim të ligjit, apo marrëveshjeve, strategjive dhe zotimeve tjera të marra për të përafruar sistemin ligjor të vendit me standardet e Bashkimit Evropian.Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk mbështet, dhe nuk do të merr pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë gjyqësorit për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të Këshillit të KGJK-së të cilët duhet të jenë përhershëm.
KGJK mbetet e përkushtuar dhe bashkëpunuese që ta jap kontributin e vet në grupet punuese për plotësimet apo ndryshimet në Ligjin e Gjykatave, Ligjin e KGJK-së, Ligjit për Përgjegjësit Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, apo ndonjë iniciative tjetër ligjore që ka për qëllim forcimin e mëtejmë të mekanizmave të brendshme të gjyqësorit. Po ashtu,

KGJK dëshiron të theksoj se për çdo iniciativë ligjore në funksion të fuqizimit të mekanizmave të brendshme të verifikimit, performancës, integritetit dhe disiplinës, KGJK duhet të ketë rol udhëheqës që nga faza e konceptimit, zhvillimit deri në atë të finalizimit të këtyre nismave ligjore.KGJK, ashtu siç është theksuar në Opinionin e komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndermirën masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një gjyqësor më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit. KGJK dëshiron ta vëj theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të “Vettingut” në sistemin gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor do të vazhdoj me reformën shumëdimensionale, e cila tashmë është reflektuar dhe ka dhënë rezultate të forta në procesin e rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, vlerësimin e performancës së gjyqtarëve në sistem, avancimin e tyre në instanca më të larta gjyqësore si dhe zbatimin e masave disiplinore për të përforcuar llogaridhënien. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, do t’i fuzionojë në reformat e nisura si draft-dokumentin e Strategjisë së KGJK-së, draft-dokumentin e digjitalizimit të gjykatave, si dhe kornizën rregullative, po ashtu në konceptimin e nismave të reja. Me qëllim të koordinimit më efektiv të këtyre nismave brenda institucionit, KGJK do themelojë komisione ad-hoc dhe grupe punuese të cilat në punën e tyre presim mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë nga partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë.