Për të pasur një pasqyrë me të qartë të rrethanave dhe fakteve, Gjykata e Pejës ka vendosur të bëjë rikonstruimin e vendit të ngjarjes në rastin ku për tentim vrasje dhe armëmbajtje paleje po akuzohet Luan Arifaj.
Arifaj akuzohet se në tetor të vitit 2018, në fshatin Muzhevinë e Istogut, pas një mosmarrëveshje që kishin pasur me palën e dëmtuar Ukë Idrizaj, lidhur me kullotjen e bagëtive, nga ku konflikti ishte përshkallëzuar edhe me shkrepje armësh nga i akuzuari Airfaj.
Një vendim i tillë u mor nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, e cila tha se arsyeja e daljes në vend të ngjarjes ishte njëra nga udhëzimet e Gjykatës së Apelit, pas kthimit të rastit të rivendosje. Gjykatësja vendosi që në rikonstruim të del së bashku me ekspert të balistikës, krimteknikën dhe ekspertët mjekoligjor.
Ndryshe, para vendosjes në këtë seancë janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarit i dëmtuari Ukë Idrizaj dhe djali i tij, Ylber Idrizaj.
I dëmtuari Ukë Idrizaj tha se në ditën kritike gjersa ishte duke u kthyer me traktor në shtëpi, kishte vërejtur lopët e të pandehurit Enver Arifaj në livadhin e tij. Ai shtoi se pasi kishte lënë familjen e tij në shtëpi, ishte kthyer prapë tek livadhi për të biseduar me të pandehurin Enver.
Ai shtoi se rrugës duke shkuar tek ai, tek dyert e kishte takuar djalin e tij Ylberin dhe së bashku kishin shkuar tek livadhi për të biseduar, duke mohuar se së bashku me djalin e tij, të kenë marrë ndonjë gjësend me vete.
Idrizaj sqaroi para trupit gjykues rastin kur djali i Enverit, i pandehuri Luan Arifaj kishte shtënë në drejtim të tij.
“Enveri ka ardh me Luanin, kur është afruar dy metra e ka nxjerr prej shoke armën duka na kërcënuar se do t’ju vras. Djali im Ylberi ka dal përara Luanit mos mem lan mem vra . Luani u largu tre metra e ka drejtu armën drejt meje kurse Enveri e ka qu hunin mem rrok. Djali e ka kap Enverin për mos mem ra dhe në atë moment ka krisë alltia”, tha Idrizaj.
Në pyetjen e mbrojtësit të pandehurit Arifaj, avokat Haxhi Millaku se a kishte pasur mundësi që Luani me shtënë edhe në drejtim të djalit të dëmtuarit para ose pasi e ka gjujtur të dëmtuarin, dëshmitari tha se sikur i akuzuari të kishte dashur, do t’i vriste.
Në këtë gjykatë u dëgjua edhe djali i të dëmtuarit, Ylber Idrizaj. Ai shtoi se i pandehuri Luan kishte shtënë në drejtim të babait të tij me vetëm një të shtënë. Ai tha se para se të shkrepte arma nga i pandehuri Luan, ky i fundit i kishte sharë.
Ndryshe, në këtë seancë prokurorja e shtetit, Sahide Gashi njoftoi gjykatën se nuk kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me të pandehurin për faktin se pala e dëmtuar nuk ishte pajtur me kërkesat e mbrojtësit që të bëhet ndryshimi i ciliësimit juridik nga tentim vrasje në lëndim të lehtë trupor.
Në anën tjetër, avokati Millaku këtë refuzim të Prokurorisë së Pejës e konsideroi se të pabazuar në ligj me arsyetimin se marrëveshja për pranimin e fajësisë realizohet nga i pandehuri dhe prokuroria ndërsa nuk është vendimtar mendimi i palës së dëmtuar. Sipas tij i dëmtuari ka të drejtë vetëm që të jetë i njoftuar me negociatat për marrëveshje.
Seanca e radhës u caktua më 19 nëntor 2020 dhe 23 nëntor 2020, ora 10:00.
Ndryshe më 11 tetor të vitit 2019, Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim prej 2 viteve me burgim efektiv dhe 700 euro gjobë ndaj të akuzuarit Luan Arifaj, për shkak të tentim vrasjes dhe armëmbajtje pa leje.
Ndërsa babai i tij, Enver Arifaj, i akuzuar për kanosje, është dënuar me dy muaj burgim, por që ky dënim është llogaritur i përfunduar, pasi kaq kohë i akuzuari ka qëndruar në paraburgim.
Mirëpo ky aktgjykim Gjykatës së Pejës është anuluar pjesërisht dhe atë vetëm sa i përket veprës penale të vrasjes në tentative, ndaj të akuzuarit Luan Arifaj, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ndaj Luan Arifajt dhe atë të kanosjes ndaj Enver Arifajt.
Sipas Apelit, vendimi i Gjykatës së Pejës është marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe mos vërtetim të plotë të gjendjes faktike.
Apeli ka arsyetuar se me provat në shqyrtim kryesor nuk ishte vërtetuar nëse dashje e të akuzuarit ishte që të dëmtuarin t’a privojë nga jeta, apo të njëjtit t’i shkaktojë vetëm lëndime trupore.
Po ashtu, Apeli ka konstatuar se në këtë rast penal nuk kishte pasur ekspertizë balistike, nga e cila do të vërtetohej mënyra se si janë shkaktuar plagët tek i dëmtuari, me ç’rast Apeli ka kërkuar që gjykata të caktojë ekspertizë të tillë dhe të dal në rikonsturim të vendit të ngjarjes, me qëllim të konstatimit nëse kemi të bëjmë me tentim vrasje apo lëndim të lehtë trupor.
“Në rigjykim gjykata e shkallës së parë, duhet të veprojë në përputhje me vërejtjet e cekura si më lartë, të procedojë edhe njëherë me provat dhe atë të marrë parasysh ekspertizën e balistikës me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe rrethanave përkitazi me mënyrën se si e ka qëlluar i akuzuari me armë zjarri të dëmtuarin në kofshën e këmbës, eventualisht këtë të bëjë edhe përmes rikonstruimit të vendit të ngjarjes, pastaj të njëjtat t’i vlerësoj në kuptim të dispozitave të nenit 361 të KPPK-së dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të aprovojë konkluzione të drejta dhe të ligjshme, pastaj të marr vendim përkatës, natyrisht duke i pasur parasysh edhe pretendimet tjera ankimore e sidomos ato të mbrojtjes të akuzuarit përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale, pastaj gjatë përpilimit të dispozivit të ketë parasysh dispozitat e nenit 365 të KPPK-së, përkitazi me paraqitjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave që përbëjnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën i akuzuari shpallet fajtor”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 21 nëntor 2018, Luan Arifaj akuzohet se më 10 tetor 2018, rreth orës 17:10, në fshatin Muzhevinë të Istogut, me dashje eventuale ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Ukë Idrizaj, ku gjithçka kishte nisur nga mosmarrëveshja rreth kullotjes së bagëtive në livadhin që i dëmtuari e kishte marr me qira.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Luan Arifaj, nga shtëpia merr pistoletën “M 57”, kalibër 7.62mm dhe kur janë paraqitur i dëmtuari në shoqëri me djalin e tij, pasi i drejtohet të dëmtuarit “pse ti po ma kërcënon babën”, e shfrytëzon rastin deri sa dëshmitari ishte duke u marrë me të pandehurin Enver Arifaj, i cili kishte ngritë një shkop druri për ta goditur të dëmtuarin Ukë Idrizaj, i akuzuari Luan Arifaj, shtie me armë në drejtim të dëmtuarit, duke e qëlluar në regjionin e sipërm të kofshës së këmbës së majtë.
Kurse, Enver Arifaj, akuzohet se më 10 tetor 2018, rreth orës 17:10, e kishte kanosur të dëmtuarin Ukë Idrizaj se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, duke tentuar ta godas atë me një shkop druri në kokë, por pengohet nga i dëshmitari Ylber Idrizaj.
Për këtë akuzë, i akuzuari Enver Arifaj është deklaruar i fajshëm për veprën penale të kanosjes, i cili pranim i fajësisë është aprovuar nga gjykatësja Lumturije Muhaxheri në seancën e shqyrtimit fillestar që ishte mbajtur më 26 dhjetor 2018.






