Kërkohet që fëmijët të rriten me dashni, jo me papuçe

Me moton “Rrite me dashni”, një grup i fëmijëve, përfaqësuesve të organizatave dhe qytetarëve marshuan sot në sheshin e kryeqytetit në kuadër të fushatës “Papuçja është për t’u mbathë e jo për të goditë”, me qëllim të ndalimit të ndëshkimit trupor dhe dhunës ndaj fëmijëve.

Nën organizimin e organizatës Syri i Vizionit në partneritet me Save the Children zyra në Kosovë dhe në bashkëpunim me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ata kanë ecur prej Kuvendit të Kosovës deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, ndërsa kanë kërkuar miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.Me këtë rast, deputetja Duda Balje, njëherësh kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, tha se kanë bërë një punë të mirë me Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.Teksa u shpreh se brenda disa ditëve do të hedhet në votim të dytë ky projektligj.

Deputetja Mexhide Mjaku Topalli u shpreh se kjo fushatë është një kambanë që po bie për të gjithë, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimeve.
Mjaku-Topalli tha se fëmijët përbëjnë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Prandaj, shtoi ajo, secili nga ta duhet të gëzojë të drejtën të rritet në një mjedis të sigurt dhe të qetë sikurse në shkollë, familje apo komunitet.

Drejtori i Save the Children, Ahmet Kryeziu, tha se si organizatë janë krenarë që kanë pasur rastin të punojnë në ndërgjegjësimin e shoqërisë sa i përket dhunës në familje, në të gjitha hapësirat ku fëmijët veprojnë.

Naser Lajqi nga Syri i Vizionit tha se të rriturit kanë përgjegjësi dhe obligim t’u ofrojnë dashuri dhe gjithë çfarë meritojnë fëmijët.

Ai uroi që më së largu, në korrik te këtij viti të miratohet ligji për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.E në emër të fëmijëve foli Fleta Mujaj, e cila tha se papuçja e çfarëdo mënyre tjetër e ndëshkimit vetëm sa rrit pasojat që kanë me i përcjellë fëmijët gjatë gjithë jetës.

Qëllimi i kësaj fushate është rritja e vetëdijesimit të prindërve dhe të rriturve për pasojat që ka ndëshkimi trupor dhe përdorimi i dhunës, dhe ushtrimi i dhunës me papuçe, si një dukuri mjaftë e shprehur në ambientet familjare.