Kërkohet paraburgim për të miturin që sulmoi vëllain me thikë

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, ndaj të miturit B.T., sepse ekziston dyshimi i bazuar se i mituri pas një konflikti me vëllain e tij e ka sulmuar me një thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Me datë 16.01.2019, i mituri pas një konflikti verbal me të dëmtuarin-vëllain e tij I.T., e sulmon me një thikë- mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor, duke e goditur një herë në krahë nga e cila goditje i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore dhe dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, me të cilën do të kryente veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Ndërkaq, mituri B.T., me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet në ndalim që nga data 16.01.2019.