Kërkohet paraburgim për djalin e Currit, dyshohet për fajde, rrëmbim, shit-blerje e shpërndarje të narkotikëve

Prokuroria Themelore e Prishtinës po kërkon paraburgim ndaj një të dyshuari për fajde, rrëmbim e blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj personit me inicialet A.O., pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “Fajdeja”, “Rrëmbimi” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, njofton kjo prokurori.

“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, është urdhëruar masa e kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit të lartcekur, me dyshimin se në këtë objekt i njëjti ka mbajtur të rrëmbyer viktimën, ashtu që me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është bastisur objekti në fjalë dhe është sekuestruar një sasi e substancës narkotike, para në vlerë mbi 12 000 (dymbëdhjetë mijë euro), të cilat dyshohet se janë përfituar me anë të kryerjes së veprës penale, si dhe gjësende të tjera të cilat do të përdoren në procedurë të mëtejme penale”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.

I dyshuari, nga 30 gushti i këtij viti ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.

Kujtojmë se dje është raportuar në media se i dyshuari është Armir Osmani, i cili është djali i Ismet Osmanit, i njohur ndryshe edhe si “Curri”.