Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për blerje, posedim, shpërndarje e shitje të paautorizuar të narkotikëve

Gjakovë, 23 shtator 2021 – Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj dy të pandehurve, F.B., dhe E.L., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragraf 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, më 21 shtator 2021, në fshatin Pjetershan, Komuna e Gjakovës, përderisa ishin duke lëvizur me veturë, të dyshuarit F.B., dhe E.L., ndalohen nga patrulla e policisë kufitare, rajoni “Perëndimi”, ku gjatë kontrollit, tek ulësja e pasagjerit janë gjetur nëntë (9) qese të mbushura me substancë narkotike, që dyshohet të jetë i llojit Marihuanë, e të cilën gjithashtu dyshohet se e kishin blerë në Shqipëri tre ditë më përpara se të ndaloheshin nga policia.

Prokurori i rastit ndaj dy të pandehurve, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 21 shtator 2021.