Kërkohet nga Kurti që të rishqyrtojë vendimin për ndarjen e 60 eurove për punëtorët shëndetësorë

Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ ka ftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin për ndarjen e shtesës në vlerë prej 60 euro për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik (profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës), në të gjithë Kosovën për muajin gusht, shtator dhe tetor 2021.

“Në kohën kur numri i vdekjeve dhe numri i të infektuarve është duke u rritur, Qeveria e Kosovës ndërmerr masa të mbështetjes joproporcionale në krahasim me punën dhe rrezikun që e bartin profesionistët shëndetësorë në Kosovë. Gjatë dy viteve të fundit, stafi shëndetësor ka përjetuar dhe vazhdon të përballet me presionin e madh për performancë në kushte të dobëta teknike për të siguruar të paktën një kujdes optimal të pacientëve. Konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që stafi shëndetësor të mbështetet financiarisht, në mënyrë që vullneti dhe puna e tyre të jenë tërësisht në mbrojtje të shëndetit publik për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Qeveria duhet ta rishqyrtojë këtë vendim në raport me punën e sfafit shëndetësor, i cili edhe rrezikon ta nxis interesimin e tij për të gjetur punë jashtë vendit”, thuhet nga ky institut.