Ditë më parë institucionet e vendit në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kthyer 110 qytetarë të Kosovës nga Siria.
Këta qytetarë përfshirë, gra e fëmijë kanë qëndruar në vatrat e luftës.
Zëvendëskryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi, ka thënë se këtyre personave duhet ofruar çdo gjë që është e nevojshme.
Sipas saj këta qytetarë të Kosovës duhet akomoduar që të mos përfshihen në ndonjë gjë nga e kaluara.
“Në bazë të Ligjit për të kthyerit, këtyre personave duhet t’ju ofrojmë çdo gjë që është e nevojshme, strehimin apo ndihmë psikologjike. Është nevojshme t’i akomodojmë këta persona, në mënyrë që të mos përfshihen në diçka nga e kaluara e tyre, që natyrisht është e rëndë”, ka thënë ajo për Telegrafin.
Kajtazi ka thënë se Institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë sa duhet për riintegrimin e këtyre personave.
” Në këtë drejtim institucionet tona nuk janë treguar mjaftueshëm për riintegrimin e këtyre personave, kjo për shkak të shumë mungesave. Megjithatë, është tejet e nevojshme që të kemi kujdes ndaj tyre, në mënyrë që kjo të jetë edhe stimulim për ata që kanë mbetur atje që të kenë mundësi të kthehen”, është shprehur ajo.
“Edhe trajtimet e këtyre personave e kanë koston e vet. Këtu duhet të kemi një qasje më të theksuar, një kujdes më të madh në mënyrë që ata t’i rikthehen normalitetit të jetës dhe të harrojnë atë katrahurë që kanë kaluar”, ka deklaruar ajo.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se qytetarëve të rikthyer duhet ndihmuar mjaft shumë që të integrohen.
Sipas tij Kosova në bashkëpunim me SHBA-në kanë bërë gjënë e duhur për rikthimin e tyre.
“Tashmë çështja e të riatdhesuarve të qytetarëve të Republikës së Kosovës në vendin e tyre, nuk është më temë e cila duhet të bisedohet dhe të thuhet se duhet apo nuk duhet të riintegrohen. Nuk ka dyshim se këta janë qytetarë të vendit tonë, ky është atdheu i tyre, dhe mendoj që shteti i Kosovës në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë, amerikanët, kanë bërë gjënë e duhur që këta qytetarë të Kosovës, të kthehen dhe të rrintegrohen në vendin e tyre”, ka thënë ai.







