Kërkohet debat publik para rrënimit të tërësishëm të objektit të ish-gjykatës në Vushtrri

Përkundër që një pjesë e ish-objektit të gjykatës në Vushtrri është rrënuar, opozita dhe shoqëria civile po kërkojnë debat publik për rëndësinë kulturore të tij, para rrënimit të tërësishëm.

Ekskavatorëve të komunës të hënën iu është ndalur puna në gjysmë, përmes një vendimi të MKRS-së atyre iu është pamundësuar rrënimi i tërësishëm deri në një vendimmarrje tjetër, derisa objekti po ruhet edhe nga forcat e policisë. Ndërkohë, Komuna e Vushtrrisë përmes një komunikate për medie thanë se ky objekt nuk përbën trashëgimi kulturore.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajriz Mustafa ngre dyshime se për rrënimin e këtij objekti fshehët ndonjë prapavijë për ndërtim të lartë në këtë zonë.

Ai thotë se zgjidhja e duhur duhet të jetë diskutimi publik me qytetarët dhe ekspertët për ndërtesën e ish-gjykatës.

“Dje në ditë vikendi kryetari e çon kompaninë këtu dhe dëmton objektin pa i bërë rrethojat rreth objektit, sigurinë rreth objektit rrezikon jetën e qytetarëve. Është një nguti e kryetarit Tahiri që të bëjë rrënimin e këtij objekti sa më shpejt dhe ta bëjë një shesh në pak metra katror dhe të ndërtohet, ndoshta prapa këtij sheshi ndërtesë e lartë që e ngulfatur tërësisht sheshin këtu… Objekti nuk ka dalë në diskutim publik dhe nuk është diskutuar me shoqërinë civile se a duhet të merret një vendim për rrënim të objektit, apo duhet që objekti të shfrytëzohet për muze, apo diçka tjetër”, tha Mustafa.

Kundër rrënimit të këtij objekti u shpreh për KosovaPress edhe kryetarja e Këshilli të Veprimit Rinor Lokal Vushtrri, Drita Dibrani.

“Rrënimi i këtij objekti është i paarsyeshëm, pasi nuk është dalë në dëgjim publik dhe të merret mendimi i qytetarëve. Ndoshta është mundësia për krijimin e një qendre historike, pasi dihet që ky objekt është periudhë e viteve 70-ta dhe mund të hyjë në funksion që të jetë një qendër historike”, tha Dibrani.

Qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Hysen Alili thotë për KosovaPres se objekti i ish-gjyqit në Vushtrri duhet të rrënohet, pasi nuk përfaqëson asgjë.

“Duhet të rrënohet sa më shpejt. Trashëgimi qe ku e kemi Kalanë, hamamin, kemi shumë. Ministria kurrë nuk investon, ato kanë mbetur në mëshirë vetëm të komunës. Kjo nuk është asgjë, gjykatë. Duhet të rrënohet të bëhet ndonjë shesh, por jo ndërtesa”, tha Alili.

Ndërsa, Afrim Pantina thotë se nëse pretendohet se ky objekt përfaqëson trashëgimi kulturore nuk duhet të rrënohet.

“Nëse pretendohet që është trashëgimi kulturore normalisht duhet të ruhet, ose me shfrytëzuar për diçka tjetër që ka nevojë ky vend”, tha Pantina.

Ndonëse ka banuar afër këtij objekti, Sysamendin Kera thotë se për të njëjtin nuk ka asnjë kujtim.

“Kurrfarë kujtimi s’ka, këtu e kam afër shtëpinë… gjykatë është, kanë për gjithçka, kadastra dhe krejt tjerat kanë qenë aty”, u shpreh Kera.

Ditë më parë MKRS përmes një komunikate për medie kërkoi që deri në finalizimin e procesit të vlerësimit në lidhje me vlerat e trashëgimisë kulturore të ndërtesës mos të ndërmerren hapat drejt shfrytëzimit apo rrënimit të saj.

Ndërsa në reagimin e sotëm, Komuna e Vushtrrisë, ndër të tjera tha se janë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetet, por ish-objekti i gjykatës nuk përbën një të tillë.