Sektori privat

Kërkohen paga për punëtorët e sektorit privat, pagesat e kredive të shtyhen deri më 1 korrik

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mbështetje financiare për sektorin privat.

Përmes një konference për media, anëtarët e OEK-së kanë kërkuar nga qeveria të sigurojnë paga për punëtorët e sektorit privat të bizneseve që janë mbyllur si rrjedhojë e vendimit të qeverisë.

Mes tjerash është kërkuar që të shtyhen pagesat e kësteve të kredive për sektorin privat deri me datën 1 korrik të këtij viti.

Këto janë propozimet e OEK ndaj Qeverisë së Kosovës:

Të sigurohen pagat për sektorin privat për të gjitha bizneset të cilave qeveria sipas vendimit u ka ndaluar veprimtarinë dhe këto biznese nuk mund të sigurojnë pagat për punëtorët e tyre.

Pagat e tyre të paguhen në bazë të listës së pagave të secilit biznes nga muaji paraprak.

Të kompensohen nga Qeveria e Kosovës shpenzimet e qirave dhe objekteve, zyrave, depove të sektorit privat deri sa të ndryshohet vendimi.

Qeveria duhet urgjentisht të krijojë një fond për mbështetje financiare, pako stimuluese për sektorin privat.

Të shtyej afatin për raportim financiar në Këshillin për Raportim Financiar në afat prej 3 muajsh.

Duke filluar nga data 1 prill pagesat e kredive të kalohen me 1 korrrik.

Të zgjatet afati i licencave deri në vendimin tjetër.

Të lirohen nga pagesat operatorët e transportit rrugor te udhëtarëve.