Kërkimi i aleatëve për Betejën e re për Paqësorin

Nga: Simon Tisdall, The Guardian

Përmes marrëveshjes për t’i thelluar lidhjet e mbrojtjes dhe të sigurisë me Filipinet, përpjekjet e ShBA-së për ta kundërshtuar ekspansionizmin ushtarak dhe ndikimin politik kinez në Indo-Paqësorin, javën e kaluar e shënuan një tjetër hap të rëndësishëm para.

Megjithatë, suksesi i presidentit amerikan Joe Biden – në zhvillimin e aleancave dypalëshe dhe shumëpalëshe – mund të ndërlidhet më shumë me shtimin e kujdesit në të gjithë rajonin ndaj Pekinit, sesa me një dëshirë të papritur për partneritet më të ngushtë me Uashingtonin.

Shumë njerëz në vendet më të vogla, tradicionalisht të paangazhuara e të shqetësuara se mos kapen në mes, ndoshta do të preferonin që qeveritë e tyre të mos merrnin fare anë. Kjo betejë e rishfaqur për Paqësorin, në mënyrë shqetësuese duket si përgatitje për një Luftë të dytë të Ftohtë.

Duke provokuar konfrontime të shumta mbi lirinë e lundrimit, ishujt e diskutueshëm dhe burimet e energjisë, fqinjët i ka armiqësuar pretendimi i rreptë i Kinës për sovranitet mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore.

Frikësimi i pandërprerë i Tajvanit nga Pekini, ngritja e madhe ushtarake, përgjigja e padobishme ndaj pandemisë dhe mbështetja për luftën e Rusisë në Ukrainë, po përshtaten me një model më të gjerë të arrogancës së padëshiruar dhe të sjelljes dominuese.

Presidenti Xi Jinping këmbëngul se Kina thjeshtë e dëshiron një botë shumëpolare, të qëndrueshme dhe të begatë, ku vendet ndjekin rrugën e vet pa ndërhyrje nga jashtë dhe pa idetë perëndimore për të drejtat “universale” demokratike dhe ato të njeriut. Por, në praktikë, kjo ashiqare është përpjekje e Kinës për ta zëvendësuar udhëheqjen globale amerikane me të veten dhe për ta përmbysur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat e pas vitit 1945.

Analistët perëndimorë ndonjëherë gabimisht ia përshkruajnë Jinpingut gjenialitetin për planet e mëdha strategjike, të cilat ai në fakt nuk i posedon. Xi nuk është gjigant karizmatik si Mao Ce Duni – përveçse njëjtë si Mao, ai bën gabime të përmasave gjigante.

Politikat e tij e përkeqësuan rënien e fundit ekonomike të Kinës, duke e zgjeruar kontrollin e Partisë Komuniste mbi bizneset private. Ishin vepra të tij edhe izolimet e pamenduara nga koronavirusi dhe një krizë borxhi në tregun e pronës.

Në fund të fundit, Xi thjesht është një tjetër politikan i rremë, oportunist, i fokusuar te pushteti. Kryefjala e tij e re – sigurimi [securitisation] – ka të bëjë kryesisht me ruajtjen e pakundërshtueshme të dominimit të tij dhe të partisë.

Ofensiva diplomatike e Jinpingut me “luftëtarët ujq”, është një nga gabimet e tij më të mëdha. Duke pasur parasysh detyrën e tij për t’ia treguar botës “shpirtin luftarak” të Kinës, këta të dërguar agresivë, verbalisht e ndonjëherë fizikisht, e kanë dëmtuar jashtëzakonisht imazhin e saj ndërkombëtar.

Vjeshtën e kaluar, i shqetësuar për vonesën e rritjes ekonomike, për tensionet tregtare dhe trazirat e brendshme, Xi u përpoq të frenonte të dërguarit e tij të zhurmshëm, teksa e miratoi një ton më pak konfrontues me Perëndimin – pas një takimi me Bidenin në Bali.

Megjithatë, luftëtarët ujq, përfshirë këtu Qin Gangun, ministrin e ri të Jashtëm, janë duke ushtruar ndikim edhe rreth gjashtë muaj më vonë. Komentet fyese nga ambasadori i Kinës në Manilë, i cili duket se e kërcënon sigurinë e filipinasve që punojnë në Tajvan, janë një rast i tillë.

Reagimi që pasoi ndihmoi në rritjen e mbështetjes publike për marrëveshjen e javës së kaluar – të Shtëpisë së Bardhë me presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos, i cili konfirmoi qasjen e ShBA-së në katër baza ushtarake.

Marcosi është përpjekur t’i balancojë marrëdhëniet e veta me dy fëmijët e mëdhenj në bllok. Kina është partneri kryesor tregtar i Filipineve. Ai e vizitoi Pekinin në janar. Megjithatë, në Manilë, si në Indonezi, Vietnam, Singapor dhe fqinjët e tjerë që janë të frikësuar se mos shtrydhen nga rivaliteti i superfuqive, ngacmimi kinez – që mund të përshkruhet nga presioni ndaj anijeve të rojës bregdetare të Filipineve – mund të ndryshojë animin e peshores.

Zyrtarët amerikanë thonë se “lehtë i arrijnë qëllimet”, në të gjithë rajonin. Duke i pasuar parasysh këto avantazhe, Antony Blinken, sekretari i Shtetit i ShBA-së, në prill u përpoq t’i joshte liderët vietnamezë.

Bideni, në ndërkohë, këtë muaj shkon në Hiroshimë për një samit të G7-shit dhe në Australi për një takim të Quad-it – një grup që përfshin Indinë dhe Japoninë dhe që përpiqet të frenojë ndikimin kinez.

Bashkëpunimi ushtarak i ShBA-së me Australinë, po rritet përmes paktit të ri të Aukus-it dhe shfrytëzimit të zgjeruar të përbashkët të bazave. Japonia, tashmë një aleat i ngushtë, po i dyfishon shpenzimet e mbrojtjes. Bideni kohët e fundit i rinovoi garancitë bërthamore të ShBA-së për Korenë e Jugut.

Shumëkush në rajon mbeten të kujdesshëm, si për Kinën ashtu edhe për ShBA-në. Kryeministri i ri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, duket se është goxha i prirë ndaj Pekinit. Por, ai me vendosmëri i kundërshton pretendimet e saj detare. Zelanda e Re është gjithashtu e kujdesshme.

Përpjekja e ShBA-së për t’i rekrutuar aleatët rajonalë, si pjesë e intensifikimit të “shkëputjes” globale nga Kina, paraqet sfida të veçanta për Bidenin, kjo duke pasur parasysh zotimin e tij për ta nxitur demokracinë në mbarë botën.

Udhëheqësi i Indisë, Narendra Modi, vepron në mënyrë diktatoriale. Vietnami njëpartiak nuk është fanar i demokracisë. Tajlanda, përballë zgjedhjeve kyçe më 14 maj, në mënyrë të pasigurt po kapet për demokracinë. Gjeneralët e Mianmarit tashmë e kanë shkatërruar atë [demokracinë].

Megjithatë, qeveritë e Indo-Paqësorit me siguri e kuptojnë se politika e ShBA-së nuk motivohet përfundimisht nga idealizmi apo nga altruizmi. Uashingtoni, si çdo fuqi e madhe, në fund të fundit punon për ta mbështetur dominimin e vet global dhe për t’i siguruar interesat e veta në çdo mënyrë që të mundet.

Evropa dhe BE-ja, të cilat po i rishqyrtojnë marrëdhëniet me Kinën, përballen me një dilemë identike. Emmanuel Macroni i Francës e mbron një qasje pajtuese, jo gjykuese – dhe autonominë më të madhe nga ShBA-ja. Të tjerët ashpër nuk po pajtohen, ndërsa Pekini në mënyrë aktive po i nxit këto ndarje. Britania e izoluar ka gjithashtu shqetësime, por pakkujt i intereson më se çfarë mendon. Siç tregon zgjedhja e përfaqësuesit të [ceremonies së] kurorëzimit [të mbretit], Kina sigurisht nuk paraqet problem [Kina do ta dërgojë personin që cilësohet si shtypës i Hong-Kongut].

Ukraina po a ngatërron debatin. Shumë evropianë janë të dëshpëruar për ta mbajtur ShBA-në në anën e vet, ndërkohë që lufta po vazhdon – edhe nëse kjo e shqetëson Pekinin. Makthi i tyre më i keq është se ShBA-ja – nën një Donald Trump të rizgjedhur – do të largohet.

Në çdo rast, duket se Bideni për momentin mund të mbështetet në Jinpingun e paaftë e të pakuptueshëm, që është larg të fuqishmit, për çfarë Amerika do t’ia dalë drejt bashkimit gjithnjë e më të ngushtë evropian dhe aziatik – pa pasur nevojë për ofendime, frikësime dhe për tjetërsuar vendet e tjera.

Merreni si shembull sugjerimin e fundit fyes nga i dërguari luftëtar ujk i Kinës në Paris, Lu Shaye, se ish-republikat sovjetike nuk janë vërtetë shtete të pavarura dhe sovrane. Ishte një autogol shumë i marrë.

Pekini duke mërmëritur u distancua nga Lu, por nuk kërkoi falje. Ky episod ofron një mësim të dobishëm. Nëse kjo është ajo që mendon lidershipi i ardhshëm global kinez, atëherë kini kujdes.