OSBE

“Kërkesa për zgjedhje bazuar në Kosovën Republikë”, OSBE njofton Serbinë për letrën e Kurtit

Kryeministri Albin Kurti i është drejtuar me një letër OSBE-së në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Republikën e  Kosovës. Për të mundësuar një gjë të tillë, Kurti ka thënë se është e nevojshme një marrëveshje e veçantë mes dy shteteve dhe se kërkesa duhet të vijë nga Serbia duke u bazuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka konfirmuar pranimin e letrës së Kurtit dhe thonë se për përgjigjen e Qeverisë së Kosovës e kanë njoftuar Serbinë.

Më 17 dhjetor në Serbi do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Sikur edhe herëve tjera, edhe kësaj here Serbia ka kërkuar që ky proces të organizohet në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duhet të arrihet një marrëveshje e veçantë mes dy qeverive.

Ndër të tjerash, në këtë letër thuhet se kërkesa duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar, bazuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe gjithashtu edhe në Nenin 2 të Marrëveshjes së Brukselit.

“Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në letrën e publikuar nga Dukagjini.

Pranimin e kësaj letre e kanë konfirmuar nga misioni i OSBE-së. Në një përgjigje për Gazetën Express, ky mision ka thënë se janë të gatshëm që të mbështesin mbledhjen e votave me të njëjtat kushte si më parë- “nëse sigurohet një ambient konsensual, nëse kemi bashkëpunim nga të gjitha autoritetet relevante në Kosovë dhe nëse garantohet mbështetje e nevojshme e sigurisë nga Policia e Kosovës, si reaguese e parë”.

OSBE thotë se e kanë informuar Qeverinë e Serbisë për përgjigjen e Kurtit lidhur me kërkesën e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu kanë shprehur gatishmëri për mbledhjen e votave sikur në rastet e kaluara, nëse arrihet konsensus.

“Ne mund të konfirmojmë se kemi marrë letrën e Kryeministrit Kurti në lidhje me zgjedhjet serbe. Siç e kemi bërë të qartë edhe më parë, në parim Misioni mbetet i gatshëm që të mbështesë mbledhjen e votave, por vetëm me të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme. Me fjalë të tjera vetëm nëse sigurohet një ambient konsensual, nëse kemi bashkëpunim nga të gjitha autoritetet relevante në Kosovë dhe nëse garantohet mbështetje e nevojshme e sigurisë nga Policia e Kosovës, si reaguese e parë. Misioni e ka njoftuar qeverinë serbe me përgjigjen e Kryeministrit Kurti”, thuhet në përgjigjen e OSBE’së për Express.

Më 16 janar 2022, Serbia kishte mbajtur një referendum për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë. Serbia kishte kërkuar që ky referendum të organizohet edhe në Kosovë, mirëpo pavarësisht thirrjeve të QUINT’një gjë e tillë ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës.

Serbëve u ishte mundësuar të votojnë vetëm nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës një ditë para se të mbahej referendumi kishin miratuar një rezolutë, përmes së cilës kundërshtonin mbajtjen e referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Qytetarët serbë në Kosovë kishin protestuar për moslejimin e mbajtjes së referendumit, ndërsa Bashkimi Evropian kishte shprehur keqardhje që nuk është gjetur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

“BE-ja shpreh keqardhje për pamundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje me Qeverinë e Kosovës për të lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të mbledhë fletëvotimet në Kosovë, në përputhje me praktikën nga e kaluara”, kishin deklaruar nga BE-ja.