Kërkesa për shtyrjen e burgosjes së Gruevskit arriti në Gjykatën Penale

Kërkesa për anulimin e vuajtjes së dënimit për ish-kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevskin sot ka arritur në Gjykatën Penale në Shkup dhe menjëherë i është dhënë gjykatësit për kryerje të sanksioneve, i cili në afat ligjor prej tri ditëve duhet të prononcohet, informoi në një takim me gazetarët kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev.

Në rast se do t’i refuzohet  ankesa, Gruevski ka të drejtë të ankohet në Këshillin Gjyqësor, i cili vendos në shkallë të dytë.

Arsyeja e parë së cilës i referohet Gruevski ka të bëjë me detyrime që i ka si deputet, para se gjithash për shkak të proceseve aktuale në Kuvend të ndërlidhura me ndryshimet kushtetuese. Shkaku i dytë është i ndërlidhur me doktoratën që e ka mbrojtur këtë verë, gjegjësisht në bazë të tezës së doktoraturës që të shkruajë libër.

Gjykatësi për kryerje të sanksioneve ka afat prej tri ditëve të përgjigjet nëse do ta pranojë propozimin dhe do ta anulojë vuajtjen e dënimit për Gruevskin, ndërsa nëse është i pakënaqur me vendimin ai ka të drejtë apeli para Këshillit Gjyqësor të përbërë nga tre gjykatës.

Ish-kryeministri maqedonas kërkoi anulim edhe nga Gjykata Supreme. Avokatët e tij këtë e kanë propozuar që javën e kaluar në kërkesën për rihetim të jashtëzakonshëm ndaj aktvendimit për lëndën “Tank”, por nga Supremja thonë se nuk ka arritur akoma deri te ata.

Lidhur me aktin udhëzues, Xholev në brifingun e sotëm theksoi se mbrojta më 29.10 ka parashtruar kërkesë të veçantë për anulim të dënimit të Gruevskit.

Ish-kryeministri më së voni deri më 8 nëntor duhet të paraqitet në vuajtjen e dënimit dyvjeçar me burg për rastin “Tank”, ku akuzohet për keqpërdorim të pozitës gjatë blerjes së “mercedesit” luksoz nga ana e MPB-së për nevojat e tij.