Kërkesa për heqjen e imunitetit të rusit që pengoi policinë në veri i dorëzohet OKB-së

Kërkesa e Kosovës për heqjen e imunitetit diplomatik rusit të arrestuarit pardje në aksionin e veriut, punonjës i UNMIK-ut, do të shqyrtohet.

UNMIK-u ka bërë të ditur se është i njoftuar për raportimet e mediave lidhur me kërkesën zyrtare të Kosovës për heqjen e imunitetit, duke shtuar se të gjitha kërkesat për heqjen e imunitetit do të dërgohen në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Në një deklaratë për tanjug, UNMIK-u thekson se shqyrtimi i heqjes së imunitetit për rusin e arrestuar në barrikadën e Zubin Potokut, do të shqyrtohet me procedurat e përcaktuara nga organizata botërore dhe ligjet në fuqi, transmeton Ballkani.info.

Kërkesa për heqjen e imunitetit të shtetasit rus, Mihail Krasnoshçenko, pjesëtar i personelit të UNMIK-ut në Kosovë, i cili u arrestua gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri, para dy ditësh, është dorëzuar dje nga prokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla.

Syla ka thënë se kërkesa zyrtare i është dërguar përfaqësuesit special të OKB-së në Kosovë, Zahir Taninit.

Rusi e kishte vendosur veturën zyrtare të UNMIK-ut në barrikadën e vendosur nga serbët në Zubin Potok për të penguar lëvizjen e Policisë së Kosovës.

Ai sot është dërguar në Beograd për trajtim mjekësor. /Ballkani.info/