Avokati Ardian Bajraktari duke komentuar konferencën e djeshme të deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut, e cila ka kërkuar inicimin e procedurave për shkarkim të gjyqtarit kushtetues, Radomir Llaban, mbi bazën e informacioneve që pretendon t’i ketë se ai është spiun i BIA-s serbe, tha se shkarkimi i Llabanit në këtë kohë “e paralizon Gjykatën Kushtetuese” duke e lënë pa kuorum dhe vendimmarrje.

‘’Për të qenë e vlefshme vendimmarrja në gjykatë duhet së paku shtatë gjyqtar të marrin pjesë në proces të votimit. Aktualisht është ky numër i gjyqtarëve dhe në rast se cilido prej tyre në çfarëdo forme çoftë me dorëheqje apo me shkarkim eventual e lë detyrën atëherë e paralizon dhe e bënë të pamundur vendimmarrjen në këtë mekanizëm.

Procedura e shkarkimit të gjyqtarit të apostrofuar është vështirë e mundshme mbi bazën e aludimeve sepse një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet vetëm nëse ka bërë shkelje të rëndë të detyrës apo vepër të rendë penale. Presioni ndaj gjyqtarëve është i papranushëm”, tha Bajraktari për rtv21.