Kryetarja e delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Biljana Pantiq Pilja, ka deklaruar sot se kërkesa e Kosovës për të marrë statusin e mysafirit special në Këshillin e Evropës është vendosur në rendin e ditës të seancës së Komitetit Politik.

Ajo seancë do të mbahet javën e ardhshme në Paris, por sipas Pantiq Pilja, delegacioni serb është i gatshëm të paraqesë argumente dhe të shpjegojë pse kjo kërkesë nuk duhet pranuar.

“Kjo nuk është një kërkesë e përsëritur, kjo është një kërkesë që ata kanë bërë në nëntor për ta marrë atë statusin e të ftuarit special. Nuk është futur në rend dite në dhjetor, nuk ka qenë në janar, ne kemi luftuar për të, por tani e kanë vënë në rend dite. Do të shohim si do të shkojë ajo seancë, sigurisht që nuk do të votohet, por do të ketë shkëmbim mendimesh”, shpjegoi ajo për Tanjug, transmeton Ballkani.info.

Pantic Pilja tha se delegacioni serb është i gatshëm të shkëmbejë mendime me deputetë të tjerë dhe të shpjegojë se pse kjo kërkesë nga Kosova nuk duhet pranuar.

“Dhënia Prishtinës së statusit të mysafirit special të Këshillit të Evropës do të ishte një lloj shpërblimi për regjimin e Albin Kurtit, prandaj mendon se Prishtina nuk duhet të shpërblehet në këtë mënyrë”, tha ajo.

Pija tha se këtë kërkesë e ka bërë kryetari i Kuvendit të Kosovës. Pantiq Pilja ka thënë se delegacioni serb u ka dërguar letra të gjithë anëtarëve të Komitetit Politik ku thuhet se duhet pritur dhe parë se kush do të jetë kryetari i ri i Kuvendit në Prishtinë dhe nëse qëndrimet e tij do të shkojnë në një drejtim tjetër. /Ballkani.info/